
Një aferë e rëndë korrupsioni ka dalë në dritë në burgun e Fushë-Krujës, ku ish-drejtori i institucionit, Qazim Hoxha, akuzohet se ka vjedhur sasi të mëdha karburanti përmes dokumenteve të falsifikuara dhe manipulimeve me kartat elektronike të karburantit. Hetimet, të zhvilluara nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Burgje (SHKBB), kanë zbuluar një skemë të mirëorganizuar abuzimi, që zgjatej prej muajsh.
Sipas dosjes hetimore, Hoxha, i cili drejtoi institucionin nga viti 2019 deri në vitin 2023, ka bashkëpunuar me specialistin e burimeve njerëzore dhe shërbimeve, Kadri L., për të krijuar raporte të rreme mujore, ku deklaroheshin kilometrazhe dhe harxhime fiktive për një automjet tip “Renault” me targë TR 2486 J. Në këto dokumente, makina, që në realitet ishte jashtë përdorimi, rezultonte të kishte përshkuar mbi 2000 kilometra në muaj dhe të kishte konsumuar 300 litra naftë, shifra të cilat SHKBB i ka konsideruar të pamundura dhe të manipuluara.
Verifikimet e agjentëve të SHKBB, zbuluan se automjeti në fjalë kishte dalë nga institucioni vetëm 22 herë brenda një muaji e gjysmë, ndërkohë që fletë-udhëtimet tregonin 19 mijë kilometra të përshkuara dhe rreth 1000 dokumente të falsifikuara. Hetimet zbuluan gjithashtu se me kartën elektronike të karburantit të këtij mjeti, janë mbushur makina private të drejtorit dhe personave të tjerë të lidhur me të.
Operacioni hetimor u zhvillua në mënyrë të fshehtë nga SHKBB, përfshirë edhe përgjime ambientale dhe vëzhgime në terren. Gjatë këtyre hetimeve, u konstatua se mjeti i përmendur nuk ndodhej më në institucion, pasi ishte dërguar për servis në një lokacion të paidentifikuar në Fushë-Krujë.
Në total, sipas hetuesve, janë vjedhur të paktën 905 litra naftë përmes kësaj skeme mashtruese, ndërsa Prokuroria ka ngritur akuza për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre ndaj ish-drejtorit dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Gjykata e Tiranës ka vendosur për Qazim Hoxhën masën e sigurisë “pezullim nga detyra” dhe “ndalim të daljes jashtë vendit”, ndërkohë që hetimet po zgjerojnë rrethin e personave të përfshirë.
Burime nga SHKBB konfirmojnë se skema mund të ketë qenë pjesë e një modeli më të gjerë abuzimi në sistemin e burgjeve, ku fondet publike për transportin dhe furnizimet janë përdorur për përfitime personale nga zyrtarë të lartë.
Ky zbulim ka tronditur Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe ka hapur një hetim më të gjerë mbi mënyrën si menaxhohen burimet logjistike në institucionet e vuajtjes së dënimit.