Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Breshias dhe Policinë e Shtetit, ka finalizuar një operacion të përbashkët ku u sekuestruan 1300 kg kokainë, 550 mijë euro cash, si dhe u lëshuan 21 urdhër-arreste. Në total, 20 persona janë ndaluar deri tani, të akuzuar për trafik ndërkombëtar të kokainës.
Esido Barkaj raportoi live për mëngjesin e Vizon Plus mbi detajet e dosjes së SPAK.
Operacioni konsiderohet një ndër më të bujshmit e viteve të fundit. Grupi i strukturuar kriminal dyshohet se prej vitesh merrej me trafik ndërkombëtar të drogës së fortë, kryesisht kokainë dhe heroinë, me furnizim nga Amerika Latine dhe shpërndarje në vende të ndryshme të Europës – Itali, Hollandë, Gjermani – e për të përfunduar më pas në Shqipëri.
Sipas dosjes hetimore të siguruar nga Vizion Plus, grupi dominonte tregun e trafikut të drogës në Durrës dhe në zona të tjera të vendit. Dario Myftiu (i njohur edhe si Denis) rezulton një ndër personat kryesorë, me aktivitet të zgjeruar të trafikut të drogës Shqipëri–Itali dhe lidhje të forta në Bergamo.
Në dosje përmendet edhe emri i Sajmir Barotit, i cili dyshohet se siguronte transportin e drogës drejt Shqipërisë dhe administronte transferimin e fitimeve në Zvicër, ku sipas hetimeve kryhej pjesa kryesore e pastrimit të parave.
Ndër të përfshirët është edhe Ervis Ferizaj, i cili dyshohet se merrej me transfertat e parave nga Zvicra drejt Shqipërisë përmes skemës “Hawala”. Ai përfitonte rreth 6% të çdo shume të transferuar dhe, sipas SPAK, rezulton i përfshirë edhe në vetë trafikun e lëndëve narkotike.
Një tjetër zhvillim i rëndë është implikimi i efektivit të antiterrorit Igli Haxhiaj, i cili, sipas hetimeve, ka kërkuar 15 mijë euro nga Dario Myftiu në këmbim të informacionit mbi provat që policia kishte kundër tij. Në telefonin e zbërthyer të Haxhias, SPAK gjeti komunikime në aplikacionin e koduar Sky ECC, foto dhe mesazhe që e lidhin atë me grupin kriminal dhe me raste të trafikut të drogës. Përmes mesazheve, Haxhia njoftonte Myftiun se ai dhe familjarët e tij ishin nën përgjim, duke ushtruar presion për pagesën.
Hetimet po vazhdojnë, ndërsa SPAK dhe autoritetet italiane pritet të shpallin detaje të tjera mbi këtë rrjet të gjerë ndërkombëtar trafiku dhe korrupsioni.
