
Biznese, toka në Dhërmi dhe automjete luksoze të dyshuara si produkt i pastrimit të parave përmes kompanive fiktive
Prokuroria e Tiranës ka ndërmarrë një aksion të gjerë sekuestrimi ndaj pasurive të një shtetasi spanjoll, i dyshuar se ka përfituar rreth 30 milionë euro përmes një skeme ndërkombëtare mashtrimi dhe pastrimi parash.
Sipas njoftimit zyrtar, janë vendosur nën sekuestro shoqëri tregtare, mbi 33 hektarë tokë në zonën e Dhërmi-t, automjete luksoze dhe llogari bankare në emër të shtetasit spanjoll A.C., të cilat dyshohet se janë produkt i veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Nga hetimet e kryera në kuadër të procedimit penal nr. 6905 të vitit 2025, ka rezultuar se A.C., babai i tij D.I. dhe partnerja M.M. kanë ngritur një skemë mashtrimi duke krijuar kompani në disa shtete, përfshirë Spanjën, Portugalinë, Shqipërinë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Republikën Dominikane dhe Estoninë. Përmes kontratave dhe transaksioneve fiktive, ata dyshohet se kanë fshehur qarkullimin e parave dhe kanë përfituar shuma shumë të mëdha financiare.
Në territorin shqiptar, aktiviteti dyshohet se është zhvilluar kryesisht përmes shoqërisë “Wingwort” sh.p.k. dhe dy shoqërive të tjera të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, me objekt veprimtarie në fushën e turizmit dhe menaxhimit të pasurive të paluajtshme. Sipas hetimeve, këto kompani kanë blerë pasuri të paluajtshme në Dhërmi me vlera dukshëm më të ulëta se tregu, duke ngritur dyshime të forta për pastrim parash.
Prokuroria bën me dije se subjektet e përfshira kanë të njëjtën adresë, të njëjtin aktivitet dhe administratorë të përbashkët, ndërsa rezultojnë me status të pezulluar, çka forcon dyshimet për përdorimin e tyre si kompani fiktive për fshehjen e të ardhurave me origjinë të paligjshme.
Një nga personat kyç në këtë skemë, shtetasi D.I., rezulton gjithashtu nën hetim nga Audiencia Nacional në Spanjë për mashtrim piramidal dhe pastrim parash, lidhur me aktivitetet e tij financiare ndërkombëtare. Në qendër të skemës dyshohet se qëndron A.C., i njohur në rrjete të koduara komunikimi me pseudonimin “Cryptospain”, i cili rekrutonte investitorë përmes platformës Telegram, duke ofruar investime të pakontrolluara dhe pa identifikim.
Në kuadër të hetimit janë sekuestruar konkretisht toka kullotë në zona të ndryshme të Dhërmiut, shoqëritë “Wingwort”, “Wortned” dhe “Wortnova”, si dhe automjete luksoze tip Toyota Land Cruiser dhe Mercedes Benz AMG G63, së bashku me llogari bankare në të gjitha bankat e nivelit të dytë.
Prokuroria e Tiranës thekson se hetimet vijojnë dhe se çështja pritet të dërgohet për gjykim, ndërsa masa e sekuestros synon të parandalojë fshehjen apo shfrytëzimin e pasurive të dyshuara si të përfituara nga veprimtari kriminale.
