
Sulmuesi i Kombëtares qëndroi i ulur në stol i zhgënjyer nga vetja, ndërsa shokët e ekipit festonin kualifikimin e madh në play-off
Shqipëria ka hyrë në historinë e futbollit, duke siguruar për herë të parë pjesëmarrjen në fazën play-off të Kupës së Botës. Por mes atmosferës së zjarrtë dhe festës së paharrueshme në fushë, një moment i pazakontë tërhoqi vëmendjen e tifozëve.
Armando Broja, i cili pati një paraqitje nën pritshmëritë e tij, u pa i ulur në stol, me fytyrën e mbuluar nga duart dhe i përlotur, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës festonte përpara tribunës së ultrasve kuqezi. Në vend që t’i bashkohej entuziazmit të ekipit, sulmuesi shfaqi qartë zhgënjimin personal për lojën e tij.
Në atë moment, Elseid Hysaj vrapoi nga krahu tjetër i fushës dhe shkoi drejt Brojës, duke e marrë pothuajse me forcë për ta çuar tek shokët e ekipit, pasi ekipi po përgatitej për foton historike të kualifikimit. Pamjet treguan qartë se Broja nuk kishte dëshirë të ishte pjesë e festës, por Hysaj dhe disa futbollistë të tjerë insistuan që ai të qëndronte pranë grupit.
Zëvendëspresidenti i FSHF, Lutfi Nuri, u afrua gjithashtu për ta qetësuar sulmuesin, i cili u bashkua shkurtimisht për foton, ndërsa më pas u largua i trishtuar drejt dhomave të zhveshjes.
Ndërsa Kombëtarja shkruante historinë, momenti i Brojës kujtoi se pas çdo suksesi të madh fshihen edhe emocionet personale të lojtarëve, presioni i fortë dhe beteja e tyre me vetveten.
