Përfaqësuesja shqiptare zbret sonte në fushë ndaj Andorrës në ndeshjen vendimtare të eliminatoreve për Kupën e Botës 2026, me synimin për të siguruar vendin e dytë në grup dhe një biletë për “play off”.
Sonte në orën 20:45, Kombëtarja shqiptare e futbollit do të zhvillojë në Andorrë një nga ndeshjet më të rëndësishme të ciklit eliminator për Kupën e Botës 2026. Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Sylvinho do të kërkojnë me çdo kusht tri pikë që mund të jenë vendimtare për të siguruar pjesëmarrjen në “play off” dhe për të mbajtur gjallë ëndrrën e Botërorit.
Në kampin shqiptar atmosfera është optimiste. Skuadra vjen pas një serie të suksesshme prej katër fitoreve radhazi, përfshirë triumfet ndaj Letonisë, Serbisë, Jordanisë dhe Gjibraltarit. Shqipëria e ka mposhtur Andorrën 3-0 në përballjen e parë të këtij edicioni, dhe ruan një seri prej gjashtë ndeshjesh pa humbje kundër këtij kundërshtari, që nga disfata befasuese në vitin 2002.
Për trajnerin Sylvinho, ky takim është një mundësi për të ruajtur ritmin dhe balancën e skuadrës që ka shfaqur stabilitet në mbrojtje dhe efikasitet në sulm. Marash Kumbulla mungon për shkak dëmtimi, ndërsa Armando Broja mbetet alternativë, por pritet të niset nga stoli për t’i lënë vend Rey Manajt, i cili mund të udhëheqë sulmin.
Kapiteni Berat Gjimshiti dhe mbrojtësi i djathtë Elseid Hysaj, që pritet të shënojë ndeshjen e tij të 95-të me fanellën kuqezi, do të jenë shtyllat kryesore në repartin defensiv.
Nga ana tjetër, Andorra, e drejtuar nga Koldo Alvarez, do të kërkojë të shmangë një tjetër humbje në shtëpi. Skuadra vendase renditet e fundit në grup me vetëm një pikë dhe mungesa të rëndësishme si ajo e Joel Guillen dhe Marc Vales e bëjnë edhe më të vështirë detyrën e saj.
Formacionet e mundshme:
Andorra: Gomes; Borra, Olivera, Llovera, Garcia, San Nicolas; Rosas, Babot, Rebes, Cervos; Lopez.
Shqipëria: Strakosha; Hysaj, Ajeti, Djimsiti, Mitaj; Asllani, Ramadani, Laci; Bajrami, Manaj, Uzuni.
Nëse kuqezinjtë arrijnë fitoren sot dhe Serbia nuk merr rezultat pozitiv ndaj skuadrës së Thomas Tuchel, Shqipëria do të sigurojë zyrtarisht vendin e dytë në grup dhe një biletë të çmuar për “play off”-in e Botërorit 2026.
Sfida luhet sonte në Estadi de la FAF dhe pritet me entuziazëm të madh nga tifozët shqiptarë brenda dhe jashtë vendit.

