
Bojkoti i opozitës rrezikon konsensusin në komision, ndërsa mazhoranca përgatitet të ndryshojë përbërjen dhe drejtimin e tij
E hëna shënon përfundimin e afatit të vendosur nga mazhoranca për rikthimin e opozitës në punimet e Komisionit për Reformën Territoriale. Mungesa e përfaqësuesve të Partisë Demokratike në këtë strukturë ka vënë në pikëpyetje konsensusin e arritur deri tani dhe i hap rrugë Partia Socialiste që të marrë shumicën e anëtarëve dhe drejtimin e komisionit.
Nëse ky skenar materializohet, opozita do të mbetet jashtë procesit vendimmarrës, pa të drejtë vote në një reformë që prek drejtpërdrejt ndarjen territoriale dhe funksionimin e pushtetit vendor. Burime politike bëjnë me dije se gjasat janë që demokratët të mos marrin pjesë as në mbledhjen e sotme, duke vijuar bojkotin disa javor.
Më 30 janar, kreu i PD-së, Sali Berisha, konfirmoi publikisht se opozita nuk do të rikthehet në komision, duke deklaruar se nuk ka bashkëpunim me mazhorancën për sa kohë, sipas tij, po bllokohet drejtësia në çështjen Balluku.
Ndërkohë, Kuvendi i Shqipërisë ka përfshirë në rendin e ditës së seancës plenare të së martës ndryshimet në përbërjen e Komisionit për Reformën Territoriale. Propozimi parashikon heqjen e barazisë numerike mes palëve dhe eliminimin e bashkëkryesimit të opozitës, duke i dhënë mazhorancës kontrollin e plotë të strukturës.
Paralelisht me mbledhjen e komisionit, në të njëjtën orë, grupi parlamentar i Partisë Demokratike do të zhvillojë një takim në selinë blu, ku pritet të diskutohet qëndrimi që opozita do të mbajë në seancën plenare të së martës dhe hapat e mëtejshëm politikë.
