
Dosja e SPAK ka kaluar për gjykim, ndërsa akuzat flasin për pesë vepra penale dhe përpjekje të vazhdueshme për shtyrjen e procesit
Sot zhvillohet seanca e radhës në GJKKO për kryebashkiakun e arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj. Ndaj tij rëndojnë 13 akuza për pesë vepra të rënda penale, ndërsa dosja hetimore është dorëzuar tashmë për gjykim.
SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka kopsitur një dosje voluminoze, e cila përmban dokumente, prova dhe fakte të cilat pritet të shqyrtohen nga trupa gjykuese. Sipas prokurorisë, akuzat janë të plota dhe procesi duhet të vijojë pa vonesa të pajustifikuara.
Seanca e fundit u shty pas pretendimit të Veliajt se nuk ishte shoqëruar në kohë drejt gjykatës, por ky pretendim u hodh poshtë nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Në reagimin zyrtar u sqarua se mjetet e Policisë së Burgjeve kishin qenë në ambientet e institucionit në orarin e parashikuar dhe se vetë Veliaj kishte refuzuar të dilte.
Edhe SPAK ka reaguar publikisht lidhur me shtyrjet e njëpasnjëshme të seancave, duke i cilësuar ato si të pajustifikuara dhe si tentativa për të shmangur përballjen me drejtësinë.
Ndërsa më herët kryebashkiaku i arrestuar pretendonte se mbahej në burg pa akuzë, tashmë ndaj tij ekziston një dosje e dorëzuar në gjykatë, me rreth 60 mijë faqe materiale hetimore. Megjithatë, procesi gjyqësor vijon mes tensioneve dhe përpjekjeve për zvarritje, ndërsa sot pritet të shihet nëse seanca do të zhvillohet normalisht.
