

Çmimi i arit ka shënuar rritjen më të madhe vjetore që prej vitit 1979, duke kaluar shifrën rekord prej 117.318 dollarë për kilogram. Ky boom nuk lidhet me një krizë financiare klasike, por me frikën nga pasiguria ekonomike dhe politike globale, që ka shtyrë investitorët të kërkojnë strehë të sigurt.
Rritja e kërkesës për ar filloi tre vite më parë, me blerjet e bankave qendrore dhe me konsumin e lartë të Kinës. Por në vitin 2025, motori i këtij fenomeni është edhe Perëndimi: investitorët amerikanë e evropianë po e shohin arin si mbrojtje ndaj një dollari të dobësuar dhe vendimeve të paparashikueshme të politikës ekonomike.
Në SHBA, fondet e investimit (ETF) të mbështetura nga ari fizik kanë shënuar një rritje prej 43% vetëm nga janari, ndërsa gjysma e ekspozimit të fondeve spekulative ndaj mallrave është përqendruar te ky metal. Edhe individët, nga pensionistë tek blerësit e thjeshtë, po e konsiderojnë arin një garanci më të fortë sesa tregjet e tjera.
Në Londër, bankat private të depozitimit kanë dyfishuar kapacitetet për ruajtjen e arit, ndërsa në tregun e përditshëm njerëzit po shesin bizhuteri për t’i shkrirë, duke i parë më shumë si material me vlerë sesa si objekte arti. Ari po shndërrohet nga një investim i specializuar, në një simbol të përgjithshëm të mbrojtjes financiare.
Ekspertët paralajmërojnë se çdo përmirësim i ndjeshëm në ekonominë amerikane ose forcim i dollarit, mund të frenojë rritjen e arit. Megjithatë, për sa kohë mbizotërojnë pasiguria, konfliktet dhe politikat e paparashikueshme, ky metal i lashtë do të vazhdojë të shihet si garancia më e sigurt në një botë me rregulla gjithnjë e më të paqarta.