
Kontrolle të befasishme në godinën Ever Green, hetimet lidhen me dyshime për call center dhe kërkesë nga autoritetet italiane
Strukturat e posaçme të drejtësisë shqiptare kanë ndërmarrë një aksion të papritur në qendër të kryeqytetit. SPAK dhe BKH kanë ushtruar kontrolle në kullën Ever Green, një ndër godinat luksoze të vendosura pranë rrugës Myslym Shyri dhe përballë Katedrales Ortodokse në Tiranë.
Sipas informacioneve paraprake, kontrollet janë përqendruar në një ambient të marrë me qira brenda pallatit, ku dyshohet se ushtrohej aktivitet i lidhur me call center. Burime bëjnë me dije se veprimet hetimore po kryhen për llogari të autoriteteve italiane, në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar kundër mashtrimeve financiare.
Ende nuk ka një njoftim zyrtar nga SPAK apo BKH që të saktësojë objektin konkret të hetimit, por dyshimet lidhen me skema mashtrimi ndaj qytetarëve të vendeve të Bashkimit Evropian, të cilët dyshohet se janë dëmtuar financiarisht përmes platformave telefonike.
Goditja e aktivitetit të paligjshëm të call centerave është kthyer në një prioritet për autoritetet shqiptare dhe ato të huaja, pas rasteve të shumta të denoncuara për zhvatje dhe mashtrim ndërkufitar. Hetimet pritet të sjellin më shumë detaje në orët ose ditët në vijim.
