
Arrestime, masa shtëpie dhe ndalime udhëtimi për biznesmenë dhe zyrtarë, hetimi lidhet me miliona euro tendera të dyshuar të paracaktuar
Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar ka firmosur tetë masa sigurie të kërkuara nga Prokuroria e Posaçme në kuadër të një hetimi gati njëvjeçar që lidhet me praktika të dyshuara abuzive në procedurat tenderuese të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.
Sipas vendimit të GJKKO-së, masë arresti në burg është caktuar për Ergys Agasin dhe Ermal Beqirin, ndërsa arrest në shtëpi është vendosur për Mirilda Karçanajn dhe Hava Delibashin. Gjithashtu, për zëvendësdrejtorin e Policisë së Tiranës, Erion Ismaili, është vendosur pezullim nga detyra dhe ndalim për të dalë jashtë vendit.
Masë ndalimi për të dalë jashtë territorit shqiptar është caktuar edhe për Andis Papën, Gëzim Hoxhën dhe Rogers Rrytën. Sipas burimeve, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri janë pronarë të disa shoqërive softuerike dhe kompjuterike që dyshohet se kanë pasur marrëdhënie kontraktore me AKSHI-n, ndërsa personat e tjerë janë zyrtarë të kësaj agjencie.
Agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë nisur ekzekutimin e masave të sigurisë, ndërkohë që paralelisht janë autorizuar edhe kontrolle banesash në disa zona të kryeqytetit, përfshirë Kodrën e Diellit, ku hetuesit po kryejnë veprime procedurale.
Hetimi i SPAK lidhet me të paktën 12 procedura tenderuese të zhvilluara nga AKSHI, me vlera që kapin disa miliona euro secila. Sipas dyshimeve, fituesit e këtyre tenderave kanë qenë të paracaktuar, duke ngritur dyshime serioze për manipulim të garës dhe shpërdorim detyre.
Prokuroria e Posaçme pritet të vijojë hetimet për të zbardhur plotësisht skemën e dyshuar të abuzimeve dhe përfshirjen e të gjithë personave të implikuar në këtë çështje.
