SPAK i ka dërguar KLP-së emrin e Jon Ketës për t’u emëruar në krye të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Në garë për drejtimin e BKH-së ishin shtatë kandidatë, mes tyre edhe Gledis Nano, ish-drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Keta aktualisht mban detyrën e zv.drejtorit të BKH-së. Kjo strukturë u drejtua në pesë vitet e para nga Aida Hajnaj.
Njoftimi i SPAK:
Komisioni i Përzgjedhjes përcakton kandidatin për pozicionin e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit
Komisioni i Përzgjedhjes për pozicionin e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) në mbledhjen e tij të datës, 26.11.2025, në prani të përfaqësuesve të ICITAP dhe Bashkimit Europian, vendosi t’i rekomandojë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për emërim, në pozicionin e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, z.Joni Keta, për një mandat 5-vjeçar.
