
Në pranga dhe nën hetim gjyqtarë, policë dhe biznesmenë që shërbenin si mburojë e klanit kriminal. Hetimet zbuluan pastrim parash, atentate të bujshme dhe lidhje me rrjete ndërkombëtare të drogës.
Një prej dosjeve më të mëdha të drejtësisë shqiptare ka mbërritur në gjykatë. SPAK ka përfunduar hetimet për grupin e njohur kriminal “Çopja”, një organizatë e përbërë nga 33 persona, mes tyre vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja, të cilët akuzohen se kanë ndërtuar një rrjet të fuqishëm që përfshinte vrasës me pagesë, zyrtarë policie, gjyqtarë dhe pastrues parash.
Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, grupi ka vepruar për më shumë se një dekadë duke shndërruar Elbasanin në një bazë të aktivitetit të tyre kriminal. Ata akuzohen për trafik ndërkombëtar kokaine, vrasje të porositura, korrupsion në organet e drejtësisë dhe të rendit, si dhe pastrim të të ardhurave kriminale përmes bizneseve, pasurive të paluajtshme dhe kompanive ndërtimi në Tiranë, Durrës dhe Elbasan.
Në dosjen voluminoze të SPAK përfshihen edhe ish-gjyqtarja e Elbasanit Pajtime Fetahu dhe punonjës policie në Durrës e Elbasan, që sipas provave kanë ndihmuar grupin duke manipuluar informacione operative, zbutur masa sigurie dhe favorizuar dënime.
Hetimet, të zhvilluara në bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare dhe platformat e komunikimit të koduar SKYECC, zbuluan se paratë e drogës dërgoheshin në Amerikën e Jugut për pagesat e ngarkesave të kokaine dhe investime në ndërtim.
Në dosje dokumentohen gjithashtu vrasje dhe atentate të bujshme që i atribuohen grupit “Çopja”, mes tyre:
- atentati ndaj Endrit Alibej dhe Arben Dylgjerit në dhjetor 2018,
- ekzekutimi i Klevin Bahos në korrik 2019,
- vrasja e Andi Zylyfit në Peqin,
si dhe tentativa për të eliminuar figura rivale si Erion Alibej, Nuredin Dumani e Talo Çela.
Gjykata e Posaçme ka vendosur sekuestro mbi më shumë se 40 prona, përfshirë vila, apartamente, lokale dhe toka, si dhe llogari bankare me shuma të mëdha në euro dhe dollarë.
SPAK e përshkruan “Çopjën” si një organizatë kriminale të strukturuar ndërkombëtarisht, që kishte arritur të korruptonte përfaqësues të institucioneve të drejtësisë dhe të zbatimit të ligjit për të ruajtur kontrollin mbi territorin dhe fitimet.
Dosja tashmë pritet të kalojë për gjykim në Gjykatën e Posaçme, ku përballë drejtësisë do të ulen 33 të pandehur, përfshirë drejtuesit, ekzekutorët dhe bashkëpunëtorët e një prej klaneve më të frikshëm të krimit të organizuar në Shqipëri.