
Agron Bejdolli, i njohur si shoferi personal i Aleksandër Lahos (“Rrumit të Shijakut”), ose “shkelësi i hijeve”; njeriu që nuk shihet kurrë, dyshohet për përfshirje në rrjetin kriminal të Avdylajve; kërkohet për pengmarrje, falsifikime dhe bashkëpunim me grup të strukturuar kriminal.
Policia e Shtetit ka shpallur në kërkim Agron Bejdollin, shoferin besnik të Aleksandër Lahos, të njohur si “Rrumi i Shijakut”, një nga emrat më të përfolur të botës së krimit në Shqipëri. Bejdolli akuzohet se ka qenë pjesë aktive e rrjetit kriminal të Avdylajve dhe Lahos, që sipas SPAK, ishte përfshirë në pengmarrje, vrasje me pagesë, tjetërsim pronash dhe falsifikim dokumentesh.
Emri i Bejdollit del në dosjen e fundit të SPAK, që zbardh lidhjet mes grupeve të Avdylajve të Shijakut dhe klanit të Lahos. Sipas hetimeve, këto struktura vepronin në mënyrë të koordinuar për të siguruar kontrollin mbi prona strategjike në Gjirin e Lalëzit dhe Kepin e Rodonit, duke përdorur presione, kërcënime dhe vrasje të porositura.
Një nga rastet më të bujshme është pengmarrja e dy vëllezërve Beqiraj në Durrës, ku Bejdolli dyshohet se ka pasur rol logjistik, duke përdorur automjete të siguruara me dokumente të falsifikuara.
Në vijim të operacionit të zhvilluar dy ditë më parë në Durrës, Gjykata e Posaçme la në fuqi masat e sigurisë për pesë persona të arrestuar:
Vullnet Muça, vëllai i “Rrumit të Shijakut”,arrest me burg
Enea Kume, vëllai i deputetit të PS-së Loer Kume, arrest me burg
Vlash Brahja, arrest me burg
Astrit Avdylaj (Balliu), arrest me burg, emër i njohur nga operacioni “Revanshi”
Edlira Avdylaj, ndalim i daljes jashtë shtetit
Ndërsa, përveç Bejdollit, në kërkim vijon të jetë edhe vetë Aleksandër Laho (Rrumi i Shijakut), i konsideruar si një nga figurat kyçe në strukturën kriminale të zonës.
Burime nga SPAK pohojnë se hetimet kanë zbuluar ndërthurje mes interesave kriminale dhe mbrojtjes politike, ku disa individë të lidhur me pushtetin lokal dhe bizneset e mëdha kanë luajtur rol në pastrimin e parave dhe manipulimin e pronave në bregdetin e Durrësit.
Ndërkohë, për grupin e Avdylajve rëndon edhe akuza për vrasjen e Edmir Bregut (alias Ilir Kuçi/Maloku) në janar 2021, një atentat hakmarrës pas tentativës për të vrarë nipin e Avdylajve, Aldo Avdylajn.