
Hetimi për vrasjen e katër protestuesve merr kthesë të re, ndërsa Abilekaj thotë se çelësi mund të jetë personi që fshiu regjistrimet dhe që sot ndodhet në partinë e Bashës
Për herë të parë pas gati 15 vitesh nga ngjarjet tragjike të 21 janarit 2011, ish-kryeministri Sali Berisha pritet të paraqitet në SPAK si person që ka dijeni mbi rrethanat e vrasjes së katër protestuesve para Kryeministrisë. Kjo vjen pas vendimit të Gjykatës së Lartë, e cila i kaloi dosjen Prokurorisë së Posaçme për të hetuar rolin e kryeministrit të asaj kohe, ministrit të Brendshëm, drejtuesve të Gardës dhe zyrtarëve të tjerë të lartë.
Një nga çështjet më të diskutueshme mbetet fshirja e pamjeve filmike të kamerave të sigurisë së Kryeministrisë. Serveri ku ishin ruajtur regjistrimet është dërguar prej vitit 2011 në Shtetet e Bashkuara për ekspertizë, por atëherë nuk u arrit rikuperimi i tyre. Sot, me avancimin e teknologjisë, rikthimi i kësaj prove shihet si një element që mund të ndryshojë rrjedhën e hetimit.
Gazetari Enton Abilekaj ka deklaruar se ndonëse provat janë të pakta dhe koha ka luajtur kundër zbardhjes së fakteve, ekziston një dëshmi kyçe që mund të ketë peshë të madhe: personi që dyshohet se ka ndërhyrë në fshirjen e serverit. Sipas tij, ai ndodhet aktualisht në partinë e Lulzim Bashës dhe dëshmia e tij mund të jetë vendimtare për të përcaktuar nëse urdhri për qitje ka ardhur nga zinxhiri komanduese politik apo vetëm nga efektivët në terren.
Nga ana tjetër, ekspertiza e FBI në vitet e mëparshme ndihmoi në ngritjen e akuzave për tre nga viktimat, ndërsa vrasja e Aleks Nikës mbetet ende e paqartë, për shkak të pamundësisë teknike për identifikimin e armës që qëlloi. Edhe kjo predhë është dërguar në laboratorë amerikanë, por pa rezultat përfundimtar.
Hetimet e SPAK pritet të vijojnë me thirrje të tjera dëshmitarësh dhe ish-zyrtarësh të lartë, ndërsa mbetet e hapur pyetja thelbësore: A do të arrijë drejtësia të zbulojë urdhëruesit e zinxhirit të vrasjeve të 21 janarit pas më shumë se një dekade?
