
Fletëthirrja i është dërguar në të gjitha adresat zyrtare, ndërsa mbetet e paqartë nëse Berisha do të paraqitet pas deklaratave të një dite më parë
SPAK ka thirrur për herë të dytë ish-kryeministrin Sali Berisha, këtë herë për të dhënë shpjegime si person që ka dijeni lidhur me vrasjen e katër protestuesve më 21 janar 2011. Ai është thirrur të paraqitet sot në orën 10:00 te Prokuroria e Posaçme, ku pyetjet do të drejtohen nga prokurori i çështjes, Alfred Shehu.
Fletëthirrja e parë e lëshuar më 3 nëntor ishte kthyer mbrapsht pa u hapur, çka e detyroi SPAK të dërgonte një njoftim të ri më 7 nëntor në tre adresa njëkohësisht: banesën e Berishës në rrugën “Mustafa Matohiti”, Kuvendin dhe selinë qendrore të PD. Ky veprim synon të shmangë përsëritjen e pretendimeve për “mosnjoftim”, të cilat Berisha i artikuloi edhe dje, duke deklaruar se nuk ka marrë asnjë dokument zyrtar.
Ende nuk dihet nëse Berisha do të paraqitet sot. Ai ka akuzuar prokurorët se po përdorin politikisht çështjen, ndërsa këmbëngul se do të shkojë vetëm pasi t’i dorëzohet fizikisht thirrja. Kërkesa e SPAK-ut vjen pak ditë pasi në Prokurorinë e Posaçme u paraqit edhe Lulzim Basha, ish-ministri i Brendshëm i kohës. Basha u mor në pyetje për rreth një orë më 30 tetor, por refuzoi të jepte detaje, duke përmendur detyrimin për të respektuar sekretin hetimor.
Hetimi për 21 Janarin është rihapur me urdhër të Gjykatës së Lartë më 12 mars 2024, pas vendimit të Strasburgut që konstatoi shkelje të rëndësishme të procedurave dhe mungesë hetimi efektiv nga autoritetet shqiptare. Tashmë SPAK po e trajton çështjen si krim shtetëror, duke verifikuar përgjegjësinë e eprorëve politikë dhe të zinxhirit komandues.
Fillimisht, drejtësia shqiptare dënoi vetëm ish-komandantin e Gardës Ndrea Prendin dhe ish-efektivin Agim Llupo, të cilët morën dënime simbolike. Por në korrik 2024, SPAK regjistroi dosjen me akuza të rënda ndaj një sërë zyrtarësh të lartë: “vrasje në rrethana cilësuese” në bashkëpunim, “shpërdorim detyre” dhe “pengim të zbulimit të së vërtetës”.
Në fokus të hetimit mbetet vrasja e Hekuran Dedës, Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Aleks Nikës, ky i fundit ende pa autor të identifikuar, si dhe dyshimet për urdhra politikë dhe tentativa për të manipuluar provat menjëherë pas ngjarjes.
