Struktura e Posaçme Anti Korrupsion ka dalë me një njoftim zyrtar pasi Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit vendosi masën e sigurisë pezullim nga detyra, dhe ndalimin e daljes jashtë vendit për zv/kryeministren, njëkohësisht dhe ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku dhe arrest shtëpie për dy zyrtarët Gentian Gjyli dhe Erald Elezi
Njoftimi
Hetimi i SPAK për procedurat e prokurimit të tunelit të Llogarasë dhe Unazës së Jashtme, caktohen masa sigurie për të pandehurit
Prokuroria e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar njofton se, në vijim të hetimeve për procedimin penal nr.136 të vitit 2025, janë evidentuar shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe ankande publike, në kuadër të dy procedurave të rëndësishme prokurimi:
Ndërtimi i tunelit të Llogarasë, pjesë e seksionit rrugor Orikum-Himarë të autostradës SH8 (Vlorë-Sarandë), me fond limit 18.967.810.952 lekë pa TVSH, të zhvilluar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4, me numër REF-02817-08-13-2021 dhe fond limit 2.096.958.794 lekë pa TVSH, të zhvilluar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për, me vendimin nr.118, datë 19.11.2025, ka vendosur :
Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues, “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe masës së sigurimit personal me karakter ndalues, “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, (pezullimi nga detyra me funksione të larta shtetërore si Zv.Kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë), të parashikuara nga nenet 233 dhe 242 të Kodit të Procedurës Penale, ndaj të pandehurës Belinda Balluku, e akuzuar për kryerjen e veprës penale, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të Kodit Penal, në lidhje me faktin penal që i përket procedurës së prokurimit me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë” dhe e dyshuar për kryerjen e veprës penale, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të Kodit Penal, në lidhje me faktin penal që i përket procedurës së prokurimit me objekt “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”.
Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues, “Arrest në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj të pandehurit Gentian Gjyli, i akuzuar për kryerjen e veprës penale, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të Kodit Penal, në lidhje me faktin penal që i përket procedurës së prokurimit me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”.
Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues, “Arrest në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj të pandehurit Erald Elezi, i akuzuar për kryerjen e veprës penale, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të Kodit Penal, në lidhje me faktin penal që i përket procedurës së prokurimit me objekt, “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë” dhe i dyshuar për kryerjen e veprës penale,“Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të Kodit Penal, në lidhje me faktin penal që i përket procedurës së prokurimit me objekt “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”.
Me datë 20.11.2025, janë ekzekutuar masa e sigurimit personal :
Masa e sigurimit personal “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, (pezullimi nga detyra me funksione të larta shtetërore si Zv.Kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë), të parashikuara nga nenet 233 dhe 242 të Kodit të Procedurës Penale, ndaj të pandehurës Belinda Balluku.
Masat e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj të pandehurve Gentian Gjyli dhe Erald Elezi.
Hetimet e deritanishme janë kryer përmes metodave speciale, grumbullimit të provave digjitale si dhe nga kryerja e veprimeve të tjera hetimore. Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme vijon hetimet për këtë procedim penal.
