
Hetimi për privatizimin e bazës detare të Sarandës zgjerohet: sekuestrime, video 5-orëshe dhe emra të njohur të përfshirë në kontratën e shumëdebatuar me “Marina Bay Saranda”.
Prokuroria e Posaçme ka ndërmarrë një valë të re kontrollesh në kuadër të hetimeve për koncesionin e portit të Limionit në Sarandë, pronë e ushtrisë shqiptare. Burime nga organi i akuzës konfirmojnë se oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë ushtruar bastisje ndaj disa biznesmenëve dhe ish-zyrtarëve të lartë të shtetit, të lidhur me procesin e privatizimit të kësaj baze ushtarake, e kthyer më vonë në projekt turistik.
Sipas informacioneve, kontrollet janë kryer në banesat e biznesmenit Artan Dulaku dhe administratorit të kompanisë “Marina Bay Saranda”, Genard Kastrati. Njëkohësisht, oficerët e BKH kanë bastisur zyrat e kompanisë që ka përfituar koncesionin e portit, ku Dulaku zotëron 50% të aksioneve. Të dyve u janë sekuestruar telefonat celularë dhe dokumente që dyshohet se lidhen me kontratën e dhënies së pronës në përdorim për vetëm 1 euro.
Në listën e personave ku janë zhvilluar kontrolle figurojnë edhe ish-deputeti socialist dhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Bardhyl Kollçaku, administratori i OSHEE-së, Enea Karakaçi, dhe Teuta Balili, pjesë e stafit të Ministrisë së Infrastrukturës. Gjithashtu, është kontrolluar banesa e Belioza Çokut, ish-drejtoreshë e kabinetit të ish-ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka. Hetimet po drejtohen nga prokurorja e posaçme Manjola Kajana.
Në qendër të hetimit qëndron kontrata e vitit 2020, kur Ministria e Financave nënshkroi me kompaninë “Marina Bay Saranda” një marrëveshje për dhënien me qira, për 1 euro, të 265 mijë metrave katrorë tokë publike në Gjirin e Limionit. Brenda kësaj sipërfaqeje ndodhen rreth 40 mijë metra katrorë që i përkasin bazës detare të Flotës Ushtarake, element ky që, sipas kallëzimit të ish-komandantit të flotës Artur Meçollari, bie ndesh me ligjin dhe cenon kapacitetet mbrojtëse të vendit.
Baza detare u sekuestrua në vitin 2023 me vendim të Gjykatës së Posaçme, vendim që u la në fuqi edhe nga Apeli dhe Gjykata e Lartë. Përpjekjet e kompanisë për të ankimuar çështjen në Gjykatën Kushtetuese kanë dështuar.
Kryeministri Edi Rama ka kritikuar ashpër sekuestrimin, duke e cilësuar “një absurditet juridik që dëmton investimet strategjike”. Në një fjalim në Asamblenë e PS në mars 2025, Rama tha: “hetimi për mënyrën se si u lidh një kontratë nuk mund të përdoret për të bllokuar një investim 200 milionë eurosh në emër të NATO dhe sigurisë kombëtare.”
Ndërkohë, sipas gazetarit Elton Qyno, hetimet kanë marrë një drejtim të ri pas dorëzimit në SPAK të një videoje 5-orëshe nga avokati Arben Llangozi më 15 shtator të këtij viti. Në video shfaqen gjeneralë të lartë të ushtrisë dhe zyrtarë të Shtabit të Përgjithshëm, duke diskutuar për procesin e dhënies së pronës në përdorim. Pas analizimit të videos, prokurorja Kajana kërkoi autorizim nga gjykata për të kryer bastisjet që u zhvilluan këtë javë.
Dosja e portit të Limionit pritet të jetë një ndër hetimet më delikate që përfshin drejtpërdrejt sektorë të mbrojtjes, infrastrukturës dhe biznesit. Ajo pritet të përcaktojë nëse privatizimi i tokës ushtarake është rezultat i një procedure të ligjshme apo një skemë që ka favorizuar individë të lidhur me pushtetin.