

Vendimi i qeverisë spanjolle për të anuluar kontratën prej 6,25 miliardë eurosh për blerjen e avionëve luftarakë amerikanë F-35 ka shkaktuar reagime të forta në Uashington, duke hapur një kapitull të ri tensioni mes dy vendeve aleate.
Sipas mediave franceze, Madrid ka vendosur të orientojë strategjinë e tij të mbrojtjes drejt një autonomie më të madhe evropiane. Në vend të kontratës me kompaninë amerikane Lockheed Martin, Spanja ka nisur një plan industrial prej 10,5 miliardë eurosh, nga të cilët 85% do të investohen në programe evropiane, si projekti SCAF (Sistemi i Luftimit Ajror të së Ardhmes).
Ky vendim prek drejtpërdrejt Marinën spanjolle, e cila priste që F-35 të zëvendësonte avionët e vjetër AV-8B Harrier, si dhe Forcat Ajrore, që kërkonin pasues për F/A-18 Hornet. Në këtë kuadër, Rafale F5 i Dassault, i certifikuar nga NATO, shihet si alternativa kryesore për Madridin.
Ky hap i Spanjës vjen në një kontekst tashmë të tensionuar me SHBA-në, pas refuzimit të Madridit për të pranuar objektivin e NATO-s për rritjen e shpenzimeve ushtarake në 5% të PBB-së deri në vitin 2035. Presidenti amerikan reagoi ashpër ndaj këtij vendimi, duke paralajmëruar rishikimin e marrëdhënieve tregtare me Spanjën.
Ekspertët e mbrojtjes e shohin këtë si një sinjal të fortë se Evropa po kërkon gjithnjë e më shumë të reduktojë varësinë nga SHBA në fushën e mbrojtjes, ndërsa tensionet gjeopolitike sa vijnë e thellohen.