
Aksidenti ndodhi në linjën Cartagena–Los Nietos, qarkullimi hekurudhor u pezullua, hetimet i merr Guardia Civil
Një tren pasagjerësh i linjës lokale të Renfe është përplasur me një vinç në territorin e Cartagenas, duke lënë të plagosur tre persona. Ngjarja është raportuar nga qendra e koordinimit të emergjencave të rajonit Murcia.
Aksidenti ka ndodhur rreth orës 12:04, në kilometrin 6.6 të segmentit hekurudhor mes Alumbres dhe zonës La Esperanza. Sipas autoriteteve hekurudhore, vinçi nuk i përkiste infrastrukturës së linjës dhe përplasja nuk shkaktoi as përmbysje dhe as dalje nga shinat e trenit.
Alarmi u dha përmes numrit të emergjencës 112 nga qendra e komandës së Renfe, duke aktivizuar menjëherë ndërhyrjen e zjarrfikësve dhe shërbimeve shëndetësore. Tre pasagjerë morën ndihmë mjekësore për dëmtime të lehta, kryesisht kontuzione.
Menaxheri i rrjetit hekurudhor bëri të ditur se qarkullimi në këtë segment është pezulluar përkohësisht, ndërsa në vendngjarje ndërhynë edhe forcat e mbrojtjes civile dhe zjarrfikësit e bashkisë së Cartagenës. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave janë marrë nga Guardia Civil.
Ky incident është i katërti në vetëm katër ditë në rrjetin hekurudhor spanjoll. Ditët e fundit, në Katalonjë, shembja e një muri mbajtës pranë shinave shkaktoi dhjetëra të plagosur dhe humbjen e jetës së një makinisti, ndërsa një tjetër tren doli nga shinat pas rënies së gurëve, fatmirësisht pa pasoja për pasagjerët.
Seria e aksidenteve ka rritur shqetësimet për sigurinë e transportit hekurudhor në Spanjë, veçanërisht në kushtet e motit ekstrem dhe reshjeve të forta që kanë goditur disa rajone të vendit.
