Ministrja e Jashtme Elisa Spiropali ka deklaruar sot se mazhoranca është e vendosur të luftojë pandëshkueshmërinë në të gjitha nivelet.
Ajo u pyet nga deputeti Agron Shehaj, kryetar i partisë “Mundësia”, se përse zv/kryeministrja Belinda Balluku nuk jep dorëheqjen nga detyra pasi është marrë e pandehur nga SPAK për korrupsion, por shfaqet krah për krah me kryeministrin Edi Rama.
“Ju thatë se qeveria nuk bën hetime por i bën SPAK. Nuk e di nëse jeni në dijeni, por në historinë e Evropës, për herë të parë, një zv/kryeministre është marrë e pandehur. Si e shpjegoni ju në takimet tuaja faktin se zv/kryeministrja edhe pse është marrë e pandehur vazhdon të jetë në krye të detyrës dhe nuk jep dorëheqjen. Si ja shpjegoni ju kolegëve tuaj kur kërkoni që të shtyni përpara integrimin në BE. Për ata është normale që zv/kryeministrja vazhdon të jetë në detyrë pavarësisht se është marrë e pandehur nga SPAK për korrupsion?, pyeti deputeti Shehaj.
Ministrja Spiropali tha se për asnjë rast, mazhoranca nuk do të sulmojë prokurorë apo gjykatës, apo të komentojë mbi çështje të posaçme, apo mbi çështje të drejtësisë.
“Kjo është një gjë që na ka ndarë që kur kemi ndërmarrë reformën në drejtësi, që kur kemi vendosur që pushteti politik duhet t’i heqë kthetrat nga pushteti i drejtësisë dhe kur kemi marrë vendimin historik si shumicë për ta luftuar pandëshkueshmërinë kudo ku ajo shfaqet, në të gjitha nivelet”, tha Spiropali.
Ndërsa deputeti Shehaj vijoi duke thënë se zv/kryeministrja Balluku nuk është në hetim, por është marrë e pandehur për korrupsion.
