Shipëria dhe Kroacia do të mbajnë në vitin 2026 mbledhjen e parë ndërqeveritare. Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, pas takimit me homologun kroat Gordan Grlić Radman, e cilësoi këtë një moment historik.
Në deklaratën e përbashkët me homologun kroat, Spiropali tha se bashkëpunimi mes dy vendeve ngrihet në një dimension të ri institucional, ku përvoja e Kroacisë mbetet e pazëvendësueshme,
“Bashkërisht u dakorduam të intensifikojmë bashkëpunimin në të gjitha fushat strategjike, përfshirë përgatitjen e Mbledhjes së parë Ndërqeveritare (G2G), mundësisht në vitin 2026, një moment historik që e ngre bashkëpunimin tonë në një dimension të ri institucional, thellimin e bashkëpunimit të shkëlqyer në fushën e integrimit europian, ku përvoja e Kroacisë mbetet e pazëvendësueshme, bashkëpunim më të ngushtë në sektorin e energjisë, ku Shqipëria dhe Kroacia ndajnë të njëjtat objektiva strategjike: si diversifikim, ndërlidhje dhe siguri afatgjatë”, tha Spiropali.
“U dakorduam të përshpejtojmë bashkëpunimin tonë për prioritetet kryesore të konektivitetit, përfshirë Autostradën Adriatiko–Joniane (Korridori Blu) dhe shqyrtimin, e një plani të ardhshëm, të potencialit të Gazsjellësit Adriatiko–Jonian (IAP). Po kështu, ramë dakord për rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit detar dhe sigurisë në Adriatik, një prioritet i natyrshëm, për dy fqinj që ndajnë të njëjtin det, të njëjtat sfida dhe të njëjtin horizont europian”, vijoi Spiropali.
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, u shpreh e hapur për të përfshirë gradualisht edhe partnerë të tjerë me të njëjtat qëndrime, ndërsa theksoi se është e mirëpritur pjesëmarrja e Bullgarisë në fusha ku përputhen interesat strategjike, veçanërisht në lidhje me ndërlidhshmërinë Adriatiko-Joniane, qëndrueshmërinë dhe sigurinë rajonale.
“Objektivi ynë është i qartë: ta bëjmë rajonin tonë më të ndërlidhur, më të qëndrueshëm dhe më të përafruar me arkitekturën europiane dhe euroatlantike. Në këtë kontekst, mirëpritëm rritjen e bashkëpunimit të mbrojtjes mes Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës, siç reflektohet në formatin trilateral të krijuar këtë vit dhe të formalizuar përmes “Deklaratës së Përbashkët për Bashkëpunimin në fushën e Mbrojtjes””, tha ajo.
“E konsiderojmë këtë bashkëpunim një platformë të vlefshme për rritjen e ndërveprueshmërisë, forcimin e kapaciteteve mbrojtëse rajonale dhe mbështetjen e rrugës euroatlantike të Kosovës”, pohoi Spiropali.
Nga ana e tij, ministri kroat Gordan Grlić Radman u shpreh se “është bërë përparim i madh dhe suksesi i Shqipërisë tregon se qasja e Kroacisë për anëtarësim përmes meritës dhe përmbushjes së kritereve është e drejtë dhe Shqipëria është një shembull i kësaj. Kroacia mbështet ambicien e Shqipërisë për të qenë pjesë e BE”.
Më herët, ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, e cila po zhvillon një vizitë zyrtare në Kroaci, u prit në një takim nga presidenti kroat Zoran Milanović.
