
Mbi 2 500 minj të vrarë në pak ditë, ndërsa dyshohet se dhjetëra mijëra fshihen në ambientet e spitalit shtetëror
Një spital shtetëror në qytetin Indore, në qendër të Indisë, është përballur me një situatë alarmante sanitare, pasi ambientet e tij janë pushtuar nga dhjetëra mijëra minj. Autoritetet lokale janë detyruar të kontraktojnë një kompani private dezinfektimi, pas rasteve të përsëritura të dëmtimit të pajisjeve mjekësore dhe pickimeve të pacientëve nga brejtësit.
Sipas autoriteteve vendore, deri tani janë vrarë më shumë se 2 500 minj në Spitalin Maharaja Yeshwantrao, ndërsa vlerësohet se rreth 70 000 të tjerë fshihen në afro 8 000 vrima të shpërndara në godinë. Operacioni është urdhëruar nga komisioneri i qytetit, Sanjay Dubey, i cili e ka cilësuar situatën si të papranueshme për një institucion shëndetësor publik.
Kompania e dezinfektimit ka përdorur ushqime të ndryshme të përziera me helm, duke ndryshuar çdo ditë “menunë”, pasi minjtë shmangin ushqimet që rezultojnë fatale për ta. Sipas drejtuesve të kompanisë, kjo metodë është e nevojshme për shkak të inteligjencës së lartë të brejtësve.
Kostoja e këtij operacioni është llogaritur rreth 5.5 milionë rupi indiane, ndërsa autoritetet pretendojnë se pas përfundimit të tij, spitali do të mbetet i lirë nga minjtë dhe dëmtuesit e tjerë për disa vite. E njëjta kompani kishte kryer një operacion të ngjashëm në këtë spital edhe rreth 20 vite më parë.
Spitali Maharaja Yeshwantrao, me rreth 400 shtretër, është një nga më të mëdhenjtë në Indore dhe vizitohet çdo ditë nga afro 1 000 pacientë në shërbimin ambulator. Rasti ka rikthyer në vëmendje problemet serioze të higjienës në shumë spitale publike në Indi, ndërsa fushata ka hasur edhe kundërshtime nga disa udhëheqës fetarë hindu, të cilët e konsiderojnë vrasjen e minjve si të papranueshme për shkak të simbolikës fetare.
