Istanbul ka një lidhje shekullore me macet, një marrëdhënie që nis nga koha e Perandorisë Osmane e deri te kujdestarët modernë të rrugëve sot. Në këtë metropol me më shumë se 15 milionë banorë, që shtrihet mes Europës dhe Azisë, ndajnë hapësirat çdo ditë edhe rreth 250 mijë mace endacake, të cilat janë bërë pjesë e pandashme e identitetit të qytetit.
Fotografi dhe autori Marcel Heijnen thotë se macet e Stambollit “nuk janë as të egra, as shtëpiake, por një ndërthurje e të dyjave”, pasi kujdesen nga komunitetet e lagjeve ku jetojnë. Bashkitë ofrojnë shërbime veterinare falas, përfshirë sterilizimin, ndërsa klinikat private aplikojnë çmime të reduktuara për macet e rrugës. Banorët shpesh kontribuojnë për të paguar faturat e mjekimit.
Adhurimi për macet nuk është i ri. Në kohën osmane ekzistonin fondacione që siguronin ushqim dhe kujdes për kafshët e rrugës, madje u krijua edhe profesioni mancacı, “kujdestari i maceve”, që kishte detyrë t’i ushqente ato. Sipas bashkëthemelueses së Muzeut të Maceve në Stamboll, Fatih Dağlı, historia shkon edhe më tej, deri te fenikasit, kur tregtarët mbanin mace në anije për të luftuar brejtësit – dhe kështu mijëra mace mbërritën në qytet përmes porteve të lashta.
Sot, si në rrugë, si në metro, kafene apo parqe, banorët i ndajnë me kënaqësi hapësirat me “qytetarët me katër putra”. Nojka “Catstanbul” përdoret gjerësisht dhe shumë turistë vizitojnë qytetin pikërisht për macet e tij të famshme.
Për vizitorët, macet e Stambollit shpesh shërbejnë si oaz qetësie në mes të kaosit urban – qoftë kur ulen mbi një stol pranë Galata Tower, apo kur shfaqen papritur në buzë të Bosforit. Vetëm një prekje apo një mace që zgjedh këmbët e tua për të fjetur, dhe Stambolli duket menjëherë më i butë, thotë Heijnen.
Në një qytet të mbushur me ndërtesa, ura e rrugë të mëdha, fakti që një specie tjetër ka krijuar hapësirën e vet në këtë strukturë gjigante është “diçka e veçantë”, shprehet ai. E akoma më e veçantë është mënyra se si stambollasit kujdesen me përkushtim për këto bashkëjetues të heshtur të metropolit.
