
Kryeministri britanik bën thirrje për diplomaci të qetë mes aleatëve të NATO-s dhe paralajmëron se tarifat do të dëmtonin ekonominë e Mbretërisë së Bashkuar
Kryeministri britanik Keir Starmer ka përjashtuar kategorikisht mundësinë e një lufte tregtare me Shtetet e Bashkuara, duke bërë thirrje për diplomaci të qetë dhe dialog politik lidhur me tensionet e krijuara rreth Greenland.
Gjatë një konference emergjente për shtyp në Downing Street, Starmer theksoi se vendosja e tarifave hakmarrëse ndaj SHBA-ve do të ishte një veprim i gabuar, duke nënvizuar se një përshkallëzim tregtar nuk i shërben interesave të Britanisë dhe do të kishte pasoja të rënda ekonomike.
Reagimi i kryeministrit britanik vjen pas vendimit të presidentit amerikan Donald Trump për të vendosur tarifa 10 për qind ndaj tetë vendeve evropiane, përfshirë edhe Mbretërinë e Bashkuar, në kuadër të presionit diplomatik mbi çështjen e Groenlandës.
Një luftë tregtare nuk është në interesin tonë dhe prioriteti im kryesor është ta shmangim atë, deklaroi Starmer, duke shtuar se qëllimi kryesor duhet të mbetet ruajtja e stabilitetit dhe bashkëpunimit mes aleatëve.
Sipas tij, mosmarrëveshjet e këtij niveli duhet të zgjidhen përmes diskutimeve të qeta dhe konstruktive brenda kornizës së NATO, duke shmangur masa që mund të thellojnë përçarjet transatlantike.
Ndërkohë, vendet e Bashkimit Evropian pritet të zhvillojnë një samit urgjent për të shqyrtuar kundërpërgjigjen ndaj tarifave amerikane, përfshirë një paketë masash që mund të arrijë deri në 93 miliardë euro importe nga SHBA-të. Megjithatë, Londra duket e vendosur të mbajë një linjë më të moderuar, duke u pozicionuar si zë i arsyes në një krizë që rrezikon të kthehet në një përplasje të gjerë ekonomike.
