
Autoritetet suedeze njoftojnë për viktima dhe të plagosur të shumtë, ndërsa shoferi i autobusit është arrestuar.
Një ngjarje e rëndë ka tronditur pasditen e sotme kryeqytetin suedez, ku një autobus urban është përplasur me shpejtësi në një stacion autobusi në lagjen Östermalm të Stokholmit, duke shkaktuar disa viktima dhe të plagosur të shumtë.
Policia ka konfirmuar se disa persona kanë humbur jetën, ndërsa numri i saktë i viktimave dhe të plagosurve nuk është bërë ende publik. Autoritetet suedeze bëjnë me dije se raportimet e para mbi incidentin kanë mbërritur rreth orës 15:24 me orën lokale.
Sophie Gunnarsson, zëdhënëse e grupit të transportit publik SL, deklaroi se bëhet fjalë për një incident shumë serioz, ndërsa shkaku i aksidentit mbetet ende i paqartë. Sakaq, policia ka arrestuar shoferin e autobusit, ndërsa hetimet po vijojnë.
Zona përreth Valhallavägen, pranë Institutit Mbretëror të Teknologjisë KTH, është rrethuar nga forca të shumta policore, ambulanca dhe zjarrfikëse. Pamjet nga vendngjarja tregojnë një prani masive të emergjencave, ndërsa banorëve u është kërkuar të shmangin zonën.
Autoritetet nuk kanë komentuar mbi moshën, gjininë apo identitetin e viktimave. Hetimet për shkakun e aksidentit dhe rrethanat e tij janë në zhvillim e sipër.
