
Familja kërkon hetim penal, pasi Grace Nevens arriti të blejë lëndën vdekjeprurëse përmes internetit
Një rast tragjik ka tronditur Britaninë, pasi studentja e diplomuar në Universitetin e Leeds-it, Grace Nevens, 22 vjeç, dyshohet se ka ndërruar jetë pasi konsumoi një substancë helmuese të blerë online. Hetimet tregojnë se e reja ishte aktive në një forum vetëvrasjeje në internet, ku kishte diskutuar rreth mënyrave të vetëdëmtimit.
Në seancën paraprake në Morpeth, Northumberland, familjarët e saj – nëna, babai dhe motra – kërkuan që rasti të hetohet nga policia, duke argumentuar se shitësi i substancës duhet të mbahet përgjegjës. Avokatja e familjes deklaroi se ekziston provë e transaksionit me të cilin Grace siguroi helmin dhe dyshohet se personi që ia shiti mund të ketë qenë i vetëdijshëm për qëllimin e saj.
Rasti lidhet edhe me hetime më të gjera ndërkombëtare, pasi autoritetet kanë hapur procedura ndaj një shtetasi kanadez, i cili dyshohet se ka shpërndarë qindra pako me substanca helmuese në mbi 40 vende. Agjencia Kombëtare e Krimit në Britani e ka lidhur atë me të paktën 99 vdekje.
Mjekët që e trajtonin 22-vjeçaren deklaruan se ajo po kalonte një krizë të shëndetit mendor, por kishte shpresë për përmirësim dhe po merrte trajtim mjekësor. Vdekja e saj ka ngritur shqetësime serioze për aksesin e lirë ndaj substancave të rrezikshme online dhe rolin e forumeve që nxisin vetëvrasjen.
