
Sipas ekspertëve, dhjami i fshehur në bark përshpejton plakjen e trurit, ndërsa masa muskulare e mbron atë nga sëmundje si Alzheimeri.
Një studim i ri i prezantuar në takimin vjetor të Radiological Society of North America ka zbuluar një lidhje të fortë mes përbërjes së trupit dhe moshës biologjike të trurit. Sipas kërkuesve, njerëzit që kanë më pak dhjamë të brendshëm dhe më shumë masë muskulare kanë tru më të shëndetshëm dhe që plaket më ngadalë.
Dhjami i brendshëm, i quajtur visceral, është ai që grumbullohet thellë në bark dhe rreth organeve të brendshme. Ky lloj dhjami, sipas studiuesve, është i dëmshëm dhe nxit plakjen e trurit, duke e bërë atë më të rrezikuar ndaj sëmundjeve neurologjike.
Profesori i radiologjisë dhe neurologjisë në Universitetin e Uashingtonit, Cyrus Raji, tha se njerëzit me më shumë muskuj dhe më pak dhjamë të fshehur kanë tru më të ri dhe janë më pak të ekspozuar ndaj sëmundjeve si Alzheimeri. Ai thekson se plakja e trurit mund të vlerësohet lehtësisht me teknologjinë MRI dhe inteligjencën artificiale, që analizojnë strukturën e tij biologjike.
Në studim u përfshinë 1,164 të rritur të shëndetshëm me një moshë mesatare 55 vjeç. Inteligjenca artificiale llogariti përqindjen e muskujve dhe dhjamit visceral dhe i krahasoi me moshën biologjike të trurit. Rezultatet treguan se pjesëmarrësit me raport më të lartë dhjamë të brendshëm kundrejt muskujve kishin tru që dukej më i vjetër. Ndërsa dhjami nën lëkurë nuk kishte lidhje të rëndësishme me moshën e trurit.
Studimi arrin në përfundimin se ndërtimi i masës muskulare dhe ulja e dhjamit të brendshëm janë dy nga hapat më efektivë për të ngadalësuar plakjen e trurit dhe për të ruajtur shëndetin afatgjatë.
