
Hulumtimi tregon se personat me trauma të hershme reagojnë më dobët ndaj meditimit terapeutik dhe përballen më shpesh me ankth, kujtime të dhimbshme dhe braktisje të trajtimit.
Një studim i publikuar së fundmi në revistën shkencore PLOS One tregon se traumat e përjetuara në fëmijëri rrisin rreziqet dhe ulin efektin e programeve të meditimit me vëmendje të ndërgjegjshme në menaxhimin e depresionit. Terapia konjitive me bazë meditimi ndërgjegjësimi, e përdorur zakonisht për të ndihmuar pacientët të shmangin rikthimin e depresionit, nuk jep të njëjtat rezultate tek ata që vuajnë nga depresioni aktiv dhe kanë histori traumash.
Studiuesit nga Universiteti Brown analizuan dy prova klinike, duke krahasuar simptomat e pacientëve para dhe pas trajtimit. Rezultatet treguan se ata që kishin përjetuar abuzim seksual, neglizhencë emocionale ose dhunë psikologjike në fëmijëri, kishin përmirësim më të ulët dhe prirje më të madhe për të braktisur terapinë.
Personat me trauma raportuan më shpesh efekte të padëshiruara gjatë ushtrimeve të meditimit, si rritje ankthi, rikthim i kujtimeve traumatike, ndjesi shkëputjeje emocionale dhe imazhe të forta mendore. Disa u ndjenë të bllokuar gjatë ushtrimeve që kërkojnë përqendrim në trup, çka në disa raste ringjalli përjetime të vjetra të dhimbshme.
Sipas autorëve të studimit, vëmendja e ndërgjegjshme mund të funksionojë më mirë si terapi parandaluese për personat që kanë kaluar depresionin, sesa si trajtim kryesor për ata që janë në gjendje depresive aktive dhe me histori trauma. Hulumtuesit kërkojnë më shumë kujdes klinik dhe përshtatje të metodave për pacientët me përvoja traumë, për të shmangur rikthimin e ndjenjave të dhimbshme gjatë meditimit.
