Çmimet në Shqipëri janë mesatarisht 89% më të larta për të njëjtat produkte krahasuar me Bashkimin Evropian. Ky është një nga përfundimet kryesore të një studimi të thelluar të ndërmarrë nga ekonomisti Ilir Ciko.
Në studim, ai propozon Indeksin e Konkurrencës së Tregut (Market Competition Index – MCI) si një metodë të re për të matur nivelin real të konkurrencës në vendet e Ballkanit Perëndimor, përmes krahasimit të çmimeve reale të produkteve identike të shitura nga të njëjtat kompani evropiane në tregjet e BE-së dhe në rajon.
Modeli argumenton se shkaku kryesor i çmimeve të larta nuk janë kostot lokale, por mungesa e konkurrencës reale në këto tregje.
Këto praktika jo vetëm që dëmtojnë konsumatorët dhe rrisin pabarazitë sociale, por edhe pengojnë rritjen afatgjatë të bizneseve, ulin investimet në inovacion dhe nxisin emigracionin për shkak të kostove të larta të jetesës.
Analiza e “Pesë Forcave” tregon se tregjet e Ballkanit Perëndimor karakterizohen nga fuqi e ulët negociuese e konsumatorëve, kërcënim i vogël nga hyrjet e reja dhe konkurrencë e dobët ndërmjet aktorëve ekzistues, çka u jep kompanive shumëkombëshe një pozitë dominuese dhe mundësi për abuzim me çmimet.
Për analizën e çmimeve, u zgjodh një kompani ndërkombëtare evropiane me rrjet të gjerë në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, e njohur për produktet e saj cilësore dhe për prezencën globale.
Në periudhën 3–12 prill 2025, u mblodhën të dhëna online nga faqet zyrtare të kompanisë për 100 produkte konsumi të përzgjedhura nga 10 kategori të gjera mallrash, të shitura në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Serbi, Mal të Zi, Bosnjë e Hercegovinë, Greqi dhe vendin e origjinës së kompanisë, duke përfshirë gjithsej 800 regjistrime çmimesh. Të gjitha çmimet u konvertuan në euro sipas kurseve të përditshme të Bankës Qendrore Evropiane.
Produktet u zgjodhën bazuar në kritere të qarta krahasueshmërie, si: identike në kod dhe specifika, të shiten në të gjitha vendet, të mos jenë artikuj luksozë, sezonale apo me ulje promocionale dhe të mos jenë nën taksa speciale (si akciza).
Pas mbledhjes, çmimet u rregulluan sipas ndryshimeve të TVSH-së për të mundësuar krahasim të drejtë. Më pas, u llogarit devijimi i çmimeve të çdo vendi nga niveli bazë i vendit të origjinës të kompanisë, gjë që lejoi një vlerësim të drejtpërdrejtë të diferencave të çmimeve dhe të sjelljes konkurruese në tregjet e Ballkanit Perëndimor dhe Greqisë në raport me tregun e BE-së.
Pas rregullimit për ndryshimet në TVSH, çmimet në rajon rezultojnë mesatarisht 47% më të larta, duke variuar nga nivele më të ulëta deri në më shumë se trefishin e çmimeve të vendit amë të kompanisë në BE.
Në Shqipëri, çmimet ishin më të lartat, me një mesatare prej 89% më shumë se në tregun bazë të BE-së, e ndjekur nga Mali i Zi me 60% dhe Maqedonia e Veriut me 46%. Kosova regjistron një rritje mesatare prej 37%, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina (25%) dhe Serbia (23%) shfaqin diferenca më të vogla
Analiza e të dhënave të çmimeve për Shqipërinë tregon se, pas normalizimit për ndryshimet në TVSH, çmimet e produkteve në Shqipëri janë mesatarisht 89 për qind më të larta se ato të të njëjtave produkte të shitura nga e njëjta kompani në vendin e saj të origjinës, me një diferencë mesatare prej 87 për qind dhe devijim standard prej 0.48.
Asnjë produkt nuk është shitur në Shqipëri me çmim më të ulët sesa në vendin amë të kompanisë. Rreth 34 për qind e produkteve janë shitur në Shqipëri me më shumë se dyfishin e çmimit që kanë të njëjtat produkte në vendin bazë.
