
Mbi 2 milionë gra pjesë e studimit, rreziku më i lartë tek pilulat me progestinë të vetme, por specialistët theksojnë se kontraceptivët sjellin edhe mbrojtje ndaj shtatzënisë së padëshiruar dhe disa llojeve të kancerit.
Një studim global me mbi 2 milionë gra ka konfirmuar se përdorimi i kontraceptivëve hormonalë lidhet me një rritje të rrezikut për zhvillimin e kancerit të gjirit. Megjithatë, studiuesit theksojnë se përfitimet e tyre në shumë raste mund të jenë më të mëdha se rreziku.
Sipas kërkimeve të publikuara në JAMA Oncology, pilulat që përmbajnë vetëm një hormon, një formë progesteroni të quajtur desogestrel, rrisin rrezikun e kancerit të gjirit me rreth 21%. Ndërsa pilulat kombinim, që përmbajnë estrogen dhe progesteron, paraqitën një rritje më të ulët, rreth 12%.
Studiuesit e konsideruan gjetjen për desogestrel-in si të re dhe me peshë shkencore, ndërsa shtuan se estrogjeni mund të zbusë efektin e dëmshëm të progestinës, çka mund të shpjegojë diferencën mes dy llojeve të kontraceptivëve.
Pilulat vetëm me progestinë (minipill) funksionojnë duke trashur mukusin e qafës së mitrës, duke penguar lëvizjen e spermatozoidëve dhe duke ndryshuar indin e mitrës për të parandaluar ngjitjen e vezës së fekonduar. Ndërsa pilulat e kombinuara përdoren me cikël tre-javor me doza aktive dhe një javë placebo.
Pavarësisht rrezikut të shtuar, autorët theksojnë se kontraceptivët hormonalë sjellin edhe përfitime të rëndësishme shëndetësore, përfshirë parandalimin e shtatzënive të padëshiruara – një faktor që lidhet me rrezikshmëri më të madhe për shëndetin e grave, si dhe mbrojtje ndaj kancerit të vezoreve dhe endometrit.
Studiuesit sugjerojnë që zgjedhja e metodës kontraceptive të bëhet individualisht dhe me këshillim mjekësor, duke vlerësuar historinë shëndetësore, moshën, faktorët e rrezikut dhe nevojat personale të çdo gruaje.
