
Analiza e banjave më të hershme publike zbulon se uji ndërrohej vetëm një herë në ditë dhe ishte i mbushur me mbetje njerëzore
Një studim i ri arkeologjik ka zbuluar një anë pak të njohur dhe aspak romantike të jetës së përditshme në Romën e Lashtë. Sipas kërkimit të fundit të zhvilluar në Pompeii, banjat publike më të hershme të qytetit përdornin ujë të ndotur, të kontaminuar me mbetje organike dhe me nivele të rrezikshme plumbi, duke e bërë përvojën e larjes larg standardeve të higjienës që zakonisht u atribuohen romakëve.
Studimi, i publikuar në revistën shkencore PNAS, u përqendrua te të ashtuquajturat “Republican Baths”, banjat më të vjetra publike të Pompeit, të cilat ishin në përdorim mes viteve 130 dhe 30 para erës sonë, pra përpara ndërtimit të ujësjellësit të qytetit. Në këtë periudhë, uji për banja sillhej nga puse dhe depozita përmes një mekanizmi të vetëm ngritës, i cili operohej nga skllevër.
Sipas autores kryesore të studimit, geoarkeologes Gül Sürmelihindi nga Universiteti Johannes Gutenberg i Mainz-it, uji në këto banja ndërrohej vetëm një herë në ditë. Kjo do të thotë se gjatë gjithë ditës, dhjetëra apo qindra persona laheshin në të njëjtin ujë, i cili gradualisht mbushej me djersë, yndyrë trupi, vaj ulliri, urinë dhe ndotje mikrobike.
Për të arritur në këto përfundime, studiuesit analizuan shtresat e gëlqeres, të përbëra nga karbonat kalciumi, të grumbulluara në muret dhe dyshemetë e pishinave të ngrohta. Këto depozitime kimike ruajnë gjurmë të përbërjes së ujit dhe tregojnë ndryshime të mëdha në izotopet e karbonit, veçanërisht në zonat ku uji shkarkohej. Sipas studiuesve, këto ndryshime lidhen drejtpërdrejt me aktivitetin mikrobik dhe praninë e mbetjeve njerëzore.
Përveç ndotjes organike, studimi zbuloi edhe nivele të larta të plumbit në ujë. Ky metal toksik vinte nga tubacionet prej plumbi që furnizonin kompleksin e banjave. Edhe pse me kalimin e kohës shtresat e gëlqeres mund të kenë ulur disi kontaktin e ujit me plumbin, ndotja mbetej e pranishme dhe potencialisht e dëmshme për shëndetin.
Studiuesit theksojnë se përvoja e banjave romake në këtë fazë të hershme ishte shumë ndryshe nga ajo që imagjinojmë sot. Romakët nuk përdornin sapun, por vaj ulliri, të cilin e fërkonin në lëkurë dhe më pas e pastronin me mjete metalike, duke lënë mbetjet të përfundonin në ujë. Megjithatë, pavarësisht kushteve të dobëta higjienike, banjat mbeteshin shumë të frekuentuara, pasi ishin të lira dhe përbënin një hapësirë të rëndësishme shoqërore, ku njerëzit mblidheshin për të biseduar dhe për t’u çlodhur.
Studimi hedh dritë mbi realitetin e përditshëm të romakëve të zakonshëm dhe sfidon idenë se banjat romake ishin gjithmonë shembull i pastërtisë dhe luksit. Në rastin e Pompeit republikan, larja ishte më shumë një ritual shoqëror sesa një proces higjienik, dhe uji i ndotur ishte pjesë e pandashme e kësaj përvoje.
About the Author
