
Simulimi në Indi vlerëson se masat e hershme si asgjësimi i shpendëve, karantinimi dhe vaksinimi i synuar mund të jenë vendimtare për frenimin e një shpërthimi
Gripi i shpendëve H5N1, i njohur kryesisht si virus që prek shpendët dhe mund të gjendet edhe te disa kafshë të tjera ose në sipërfaqe të kontaminuara, po rikthehet në vëmendje për shkak të shqetësimeve se një variant i përshtatur për njerëzit mund të rrisë rrezikun e një përhapjeje të gjerë.
Në Evropë, përhapja e gripit të shpendëve është përshkruar si e pazakontë, duke çuar në asgjësimin e një numri shumë të madh shpendësh në ferma dhe duke ndikuar në furnizime dhe çmime. Megjithëse rastet te njerëzit kanë qenë të rralla, studiuesit theksojnë se rreziku lidhet me mundësinë që virusi të pësojë mutacione dhe të fitojë aftësi më të lartë për transmetim nga njeriu te njeriu.
Në këtë kontekst, një grup studiuesish në Indi, në Ashoka University, kanë përdorur një simulim kompjuterik për të kuptuar se si mund të nisë, përhapet dhe kontrollohet një shpërthim H5N1 nëse virusi kalon nga shpendët te njerëzit. Modeli, i quajtur BharatSim, simulon ndërveprimet e përditshme të njerëzve në familje, në punë, në shkolla dhe në tregje, për të llogaritur dinamikën e përhapjes në skenarë realistë.
Simulimi u fokusua në distriktin Namakkal në jug të Indisë, një zonë e njohur si qendër e rëndësishme e industrisë së shpendëve me mbi 1,600 ferma, ku teorikisht mund të ndodhë një “spillover”, pra kalimi i virusit nga shpendët te njerëzit. Sipas skenarit të modeluar, infeksioni fillon te personat që punojnë në ferma ose në tregje, më pas kalon te familjarët e tyre dhe vijon me përhapje në kontakte të tjera përmes ndërveprimeve më të gjera në komunitet.
Studiuesit modeluan edhe masa të ndryshme ndërhyrjeje. Asgjësimi i shpendëve mund të ulë transmetimin, por rezulton efektiv vetëm nëse kryhet brenda 10 ditëve nga zbulimi i shpërthimit, përpara se infeksioni të arrijë kulmin në popullatën e shpendëve. Ndërkohë, karantinimi i të infektuarve u vlerësua si masa më efektive për frenimin e përhapjes mes njerëzve, por me kusht që të zbatohet shumë herët, kur numri i të infektuarve është ende minimal.
Një gjetje tjetër e rëndësishme e simulimit është shpejtësia me të cilën mund të ndodhë përhapja në kontaktet e nivelit të tretë, brenda vetëm dy ditësh, nëse njerëzit lëvizin rregullisht mes shtëpisë dhe punës apo shkollës. Sipas studiuesve, kjo nënvizon se ndërhyrjet në fazat e para janë vendimtare, ndërsa nëse transmetimi komunitar vendoset, atëherë mbeten masa më të gjera si kufizime të forta, detyrim maske dhe fushata masive vaksinimi.
