
Parashikimet flasin për deri në 40 centimetra borë dhe temperatura nën zero, autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin çdo udhëtim
Një stuhi e fuqishme dimërore pritet të godasë New York Cityn në orët e para të së dielës, duke sjellë reshje të dendura bore, temperatura ekstreme dhe rrezik serioz për qarkullimin. Sipas modeleve më të fundit meteorologjike, reshjet e borës do të nisin mes orës 03:00 dhe 09:00 të mëngjesit të së dielës dhe mund të arrijnë deri në 16 inç, rreth 40 centimetra.
Stuhia, e quajtur “Winter Storm Fern”, pritet të godasë më fort zonat në veri dhe në perëndim të qytetit, përfshirë Hudson Valley, ku në disa zona parashikohen edhe mbi 20 inç borë. Ndërkohë, zonat pranë bregdetit dhe disa pjesë të Long Island mund të përballen me përzierje bore, shiu dhe akulli.
Sipas meteorologut të lartë të AccuWeather, Tom Kines, e diela do të jetë veçanërisht problematike për qarkullimin rrugor dhe ajror. Ai paralajmëroi se udhëtimet gjatë asaj dite nuk rekomandohen dhe se situata në rrugë dhe aeroporte mund të kthehet në kaos. Reshjet intensive pritet të bien ndjeshëm deri në mesditën e së hënës, por pasojat do të zgjasin më shumë.
Ekspertët këshillojnë qytetarët të kryejnë çdo furnizim të domosdoshëm të shtunën dhe të qëndrojnë në shtëpi gjatë së dielës, pasi pastrimi i trotuareve dhe rrugëve dytësore mund të vonohet ndjeshëm.
Temperaturat do të bien në nivele shumë të ulëta, me minimume rreth 13 gradë Fahrenheit të shtunën dhe 19 gradë të dielën, ndërsa të hënën pritet një tjetër rënie deri në 12 gradë. Sipas parashikimeve, temperaturat normale për këtë periudhë nuk pritet të rikthehen deri nga fundi i javës së ardhshme.
Stuhia dimërore pritet të prekë deri në 40 shtete amerikane dhe rreth 250 milionë persona, duke u cilësuar si një nga episodet më të rrezikshme të motit ekstrem të këtij sezoni.
