
Rrezatimi ekstrem diellor i regjistruar më 19 janar po shkakton ndërprerje komunikimi, rrezik për satelitët dhe shfaqje spektakolare të aurorave në shumë zona të globit
Toka është goditur nga stuhia diellore më e fuqishme e regjistruar në më shumë se dy dekada, duke ngritur alarmin tek shkencëtarët për pasojat në teknologji, komunikim dhe sigurinë e astronautëve, por njëkohësisht duke sjellë pamje të rralla të dritave polare.
Qendra Amerikane për Parashikimin e Motit Hapësinor ka konfirmuar se stuhia, e regjistruar më 19 janar, është klasifikuar në nivelin S4, niveli i dytë më i lartë i rrezatimit diellor. Një ngjarje e tillë konsiderohet jashtëzakonisht e rrallë dhe hera e fundit që u regjistrua diçka e ngjashme ishte në tetor të vitit 2003.
Sipas ekspertëve, kjo stuhi ka shkaktuar edhe një stuhi të fortë gjeomagnetike të nivelit G4, duke rritur ndjeshëm energjinë magnetike që përplaset me fushën magnetike të Tokës. Fenomeni pritet të zgjasë disa ditë dhe të ketë pasoja të konsiderueshme.
Autoritetet paralajmërojnë se komunikimet me frekuencë të lartë mund të ndërpriten plotësisht në zonat polare, ndërsa udhëtimet ajrore në lartësi të mëdha mund të paraqesin rrezik shtesë për shëndetin për shkak të rrezatimit. Gjithashtu, stuhia mund të ndikojë në rrjetet elektrike, sistemet GPS, satelitët dhe madje edhe në infrastrukturën hekurudhore dhe tubacionet, për shkak të rrymave elektrike të induktuara nga aktiviteti diellor.
Nga ana tjetër, fenomeni ka krijuar kushte ideale për shfaqjen e aurorave, të njohura si dritat veriore. Në Shtetet e Bashkuara, ato priten të jenë të dukshme në shumë shtete veriore dhe qendrore, përfshirë Uashingtonin, Oregonin, Montanën, Dakotën e Veriut dhe të Jugut, Minesotën, Miçiganin, Nju Jorkun dhe deri në Alaskë. Nëse intensiteti rritet sërish në nivelin G4, dritat polare mund të shihen edhe më në jug, deri në Kaliforni dhe Alabama.
NASA ka konfirmuar se po bashkëpunon ngushtë me institucionet e motit hapësinor për të mbrojtur astronautët në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor, të cilët, ashtu si në rastin e stuhisë së vitit 2003, mund të detyrohen të marrin masa mbrojtëse ndaj rrezatimit të shtuar.
Ekspertët theksojnë se, ndonëse fenomeni është i rrezikshëm për teknologjinë moderne, për qytetarët në tokë rreziku mbetet i kufizuar, përveç rasteve të ndërprerjeve të energjisë elektrike. Në të njëjtën kohë, stuhia ofron një nga shfaqjet natyrore më mbresëlënëse të viteve të fundit në qiellin e natës.
