
Reshje ekstreme shiu kanë paralizuar jugun e Evropës, duke shkaktuar vdekje, zhdukje personash, mbyllje shkollash dhe dëme të rënda infrastrukturore
Stuhia Leonardo ka goditur me forcë të pazakontë gadishullin Iberik, duke shkaktuar pasoja tragjike në Portugali dhe kaos të përhapur në Spanjë. Një burrë ka humbur jetën në Portugali pasi automjeti i tij u përfshi nga ujërat e rrëmbyeshme, ndërsa autoritetet raportojnë mijëra persona të evakuuar dhe qindra incidente emergjente.
Në Spanjë, situata është veçanërisht kritike në jug të vendit. Një grua rreth të 30-ave rezulton e zhdukur pasi u rrëmbye nga lumi Turvilla në zonën e Costa del Sol, teksa tentonte të shpëtonte qenin e saj. Operacioni i kërkimit vijon me pjesëmarrjen e zjarrfikësve dhe shërbimeve të mbrojtjes civile.
Reshjet kanë qenë ekstreme, me mbi 380 litra shi për metër katror brenda 24 orëve në disa zona. Si pasojë, janë mbyllur shkolla, janë anuluar linja trenash dhe rreth 120 rrugë janë bërë të pakalueshme. Në Marbella, ekipe emergjence kanë kryer ndërhyrje me rrezik të lartë për të shpëtuar drejtues mjetesh të bllokuar në ujëra, ndërsa shembje ndërtesash dhe rrëshqitje gurësh kanë lënë persona të plagosur në Kadiz.
Pamjet ajrore tregojnë lagje të tëra të përmbytura, kulla vrojtimi plazhesh të shkëputura nga toka dhe tërhequra në det, si dhe struktura fetare e industriale të dëmtuara nga erërat e forta. Në disa qytete, hipodromet janë kthyer në strehë emergjente për kafshë të shpëtuara nga përmbytjet.
Autoritetet spanjolle kanë shpallur alarm të kuq në Serrania de Ronda, në veriperëndim të Malagës, duke paralajmëruar rrezik të jashtëzakonshëm për jetën dhe pronën. Në Portugali, shërbimi kombëtar i mbrojtjes civile ka ngritur gatishmërinë në nivelin më të lartë, ndërsa forcat e armatosura kanë angazhuar mijëra efektivë dhe dhjetëra mjete lundruese përgjatë lumenjve kryesorë.
Kryeministri portugez Luís Montenegro ka paralajmëruar se toka është tashmë e ngopur me ujë dhe situata mund të përkeqësohet, duke mos përjashtuar evakuime të tjera. Vendi po përballet ende me pasojat e stuhisë së mëparshme Kristin, e cila la tetë viktima, ndërsa autoritetet janë përgatitur për reshje të tjera gjatë ditëve në vijim.
Stuhia Leonardo po konsiderohet një nga episodet më të rënda meteorologjike të viteve të fundit në rajon, duke nxjerrë në pah brishtësinë e infrastrukturës dhe rrezikun në rritje nga fenomenet ekstreme klimatike.
