Udhëtarët mbeten të bllokuar në aeroporte, rrugët shndërrohen në lumenj dhe autoritetet paralajmërojnë qytetarët të mos dalin nga shtëpia.
Një stuhi e fuqishme e quajtur “Melissa” ka përfshirë Spanjën, duke shkaktuar përmbytje masive, bllokim rrugësh dhe anulim të fluturimeve në disa zona turistike kryesore. Barcelona, Mallorca dhe Ibiza janë goditur më rëndë, ku shirat e rrëmbyeshëm dhe erërat e forta kthyen rrugët në rrjedha uji, ndërsa njerëzit u detyruan të kërkojnë strehim të menjëhershëm.
Në Barcelonë, shërbimi meteorologjik i Katalonisë vendosi alarmin portokalli, duke paralajmëruar qytetarët të qëndrojnë brenda dhe të shmangin lëvizjet. Aeroporti El Prat u përball me kaos, ku të paktën 47 fluturime u anuluan dhe dhjetëra të tjera pësuan vonesa, pasi pista u mbush me ujë dhe avionët mbetën të bllokuar në tokë.
Shërbimi zjarrfikës raportoi qindra ndërhyrje deri në orët e paradites, përfshirë raste të personave të ngecur në ashensorë ose automjete të përmbytura. Në qytetin Badia del Vallès, një ndërtesë u evakuua për shkak të rrezikut të shembjes së tavanit, pa raportuar të lënduar.
Edhe Palma de Mallorca u godit rëndë nga breshëri dhe shiu. Video të shumta tregojnë banorë dhe turistë që vrapojnë të strehohen nën ndërtesa, ndërsa pista e aeroportit u përmbyt, duke shkaktuar dhjetëra vonesa. Rrugë të tëra u bllokuan dhe pemë të mëdha u rrëzuan mbi makina dhe godina.
Në Ibiza, shirat e rrëmbyeshëm sollën rrëshqitje dhe bllokime rrugësh, ndërsa në rajonin e Galicisë u regjistruan dallgë mbi 5 metra dhe erëra që arritën 80 km/h.
Autoritetet rajonale u kanë kërkuar qytetarëve të shmangin udhëtimet e panevojshme dhe të mos afrohen pranë lumenjve dhe kanaleve, për shkak të rrezikut të përmbytjeve të papritura.
Meteorologët paralajmërojnë se stuhia do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, duke prekur më fort Andaluzinë, Galicinë, Kataloninë dhe Aragonën. Kjo stuhi vjen vetëm pak javë pas një tjetër goditjeje të fortë atmosferike në bregdetin spanjoll, çka sipas ekspertëve lidhet me ndryshimet klimatike që po intensifikojnë fenomenet ekstreme të motit në Evropë.
