

Të paktën 25 anëtarë të së njëjtës familje vriten në Sabra; dhjetëra dyshohet të jenë nën rrënoja, teksa goditjet vazhdojnë në Bureij dhe bilanci i luftës rritet.
Të paktën 25 anëtarë të së njëjtës familje u vranë në orët e para të së dielës, kur avionë izraelitë bombarduan një grup banesash në lagjen Sabra të Gaza City-t. Sipas të afërmve në vendngjarje, dhjetëra persona mund të jenë ende nën rrënoja. Deri tani, ekipet dhe banorët kanë shpëtuar 17 persona, ndërsa kërkim-shpëtimi vijon nën kushte të vështira.
Të afërm e dëshmitarë pohojnë se dronë izraelitë kanë hapur zjarr ndaj atyre që përpiqeshin të çlironin të mbijetuarit. “I dëgjojmë të afërmit tanë që bërtasin poshtë rrënojave, por sa herë afrohemi, dronët qëllojnë,” -tha një familjar, duke bërë apel urgjent për ndihmë.
Shtatë palestinezë të tjerë, mes tyre katër fëmijë, u vranë në një sulm ajror në kampin e refugjatëve Bureij, ku sipas burimeve emergjente, goditja ndodhi pranë një klinike të UNRWA-s. Ministria e Shëndetësisë në Gaza njoftoi se të paktën 65,283 persona janë vrarë dhe 166,575 janë plagosur që nga tetori 2023, ndërsa vdekjet nga uria dhe mungesa e ndihmave janë rritur në 440, përfshirë 147 fëmijë.
Ndërsa forcat izraelite vazhdojnë të shembin ndërtesa dhe të shtyjnë popullsinë drejt zhvendosjes masive, lëvizja e njerëzve kufizohet nga sulmet me dronë dhe pajisje shpërthyese të telekomanduara, brenda kampeve të zhvendosjes dhe në rrugë, raportojnë gazetarët në terren.
Izraeli po përballet edhe me kritika nga familjet e pengjeve që kundërshtojnë zgjerimin e operacioneve, ndërsa Papa Leo dënoi zhvendosjen e detyruar të civilëve: “Nuk ka të ardhme mbi dhunën, mërgimin e detyruar dhe hakmarrjen.”