

Sulmet me dronë dhe raketa shkatërrojnë lagje të tëra në kryeqytetin ukrainas, ndërsa Polonia vendos në gatishmëri forcat ajrore
Të paktën katër persona, përfshirë një vajzë 12-vjeçare, kanë humbur jetën dhe dhjetë të tjerë janë plagosur pas një sulmi masiv me dronë dhe raketa mbi kryeqytetin ukrainas dhe rajonin përreth. Autoritetet vendore e kanë cilësuar këtë si një nga goditjet më të rënda, që nga fillimi i luftës.
Sipas kreut të administratës ushtarake të Kievit, Timur Tkachenko, mbi 15 zona të qytetit janë dëmtuar nga bombardimet, përfshirë goditje mbi pallate shumëkatëshe dhe makina që morën flakë në oborret e lagjeve. Distriktet Darnytskyi, Sviatoshynskyi, Solomianskyi, Holosiivskyi dhe Dniprovskyi raportuan shkatërrime të shumta.
Banorët u detyruan të strehoheshin në stacionet e metrosë nëntokësore, ndërsa sirenat e alarmit u dëgjuan gjatë gjithë mëngjesit. Ministri i Jashtëm, Andrii Sybiha, deklaroi se Rusia ka lëshuar qindra dronë dhe raketa njëherësh, duke theksuar se sulmi kishte shënjestruar banesa dhe infrastruktura civile.
Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, i cilësoi sulmet si “masive” dhe u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë në strehimore.
Nga ana tjetër, edhe rajone të tjera të Ukrainës u përballën me sulme, përfshirë Zaporizhian, ku u raportuan të paktën katër të plagosur. Polonia, fqinjja perëndimore e Ukrainës, mbylli përkohësisht hapësirën ajrore mbi dy qytete juglindore dhe ngriti në gatishmëri forcat ajrore, duke u përpjekur të sigurojë kufirin.
Një vëzhgues i pavarur e përshkroi këtë si një nga sulmet më të mëdha ajrore ndaj kryeqytetit ukrainas që prej fillimit të pushtimit rus, ndërsa autoritetet në Kiev paralajmëruan se përgjigjja ndaj Moskës do të jetë e pashmangshme.
“Sërish po goditen banesat dhe civilët. Është një luftë kundër popullatës,” -tha Andriy Yermak, shefi i zyrës së presidentit Zelensky, duke kërkuar që Perëndimi të rrisë presionin ekonomik ndaj Rusisë.