
Hackerët publikojnë materiale sensitive, ESA nis hetim penal dhe rritet alarmi për sigurinë kibernetike në sektorin hapësinor
Agjencia Europiane e Hapësirës është goditur nga një sulm i rëndë kibernetik, ku hackerë kanë arritur të depërtojnë në sistemet e saj dhe të publikojnë qindra gigabajt të dhëna sensitive, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë në sektorin hapësinor europian.
Sipas raportimeve, sulmi fillestar ka ndodhur më 26 dhjetor, kur një hacker me nofkën “888” publikoi mbi 200 GB të dhëna të lidhura me ESA-n. Më pas, një grup tjetër që e quan veten Scattered Lapsus Hunters mori përgjegjësinë për një rrjedhje edhe më të madhe, duke pretenduar se në total janë publikuar rreth 500 GB materiale.
Të dhënat e komprometuara përfshijnë materiale shkencore, programe softuerike pronësore, kredenciale hyrjeje dhe dokumente të brendshme misionesh, me lidhje edhe me kompani të mëdha të industrisë hapësinore si Airbus, SpaceX dhe Thales Alenia Space.
Hakerët kanë deklaruar se sulmi u bë i mundur për shkak të një dobësie të njohur sigurie që nuk ishte korrigjuar në kohë. Pas incidentit, ESA ka konfirmuar hapjen e një hetimi penal për të zbardhur rrethanat dhe përgjegjësit e rrjedhjes së të dhënave.
Ekspertët e sigurisë kibernetike shpjegojnë se sulme të tilla shpesh shfrytëzojnë praktika të dobëta sigurie digjitale, si ripërdorimi i fjalëkalimeve apo malware që vjedh të dhëna hyrjeje pa u vënë re nga përdoruesit. Edhe pse ESA ka deklaruar se aktualisht nuk ka kërcënim të drejtpërdrejtë operacional, specialistët paralajmërojnë se publikimi i përsëritur i të dhënave mund të ekspozojë informacione strategjike afatgjata.
Sipas analizave, rreziku mund të mos kufizohet vetëm brenda sistemeve të ESA-s, por edhe te kompanitë e kontraktuara, duke qenë se sektori hapësinor është i ndërlidhur dhe mjafton një hallkë e dobët për të krijuar cenueshmëri më të gjerë.
Rastet e sulmeve kibernetike ndaj organizatave hapësinore po shtohen, ndërsa si ESA ashtu edhe NASA kanë qenë objekt i tentativave të shumta për ndërhyrje në sistemet e tyre vitet e fundit, duke e kthyer sigurinë kibernetike në një nga sfidat më kritike të epokës së re hapësinore.
