
Një tjetër grua mbetet në gjendje kritike, autori arrestohet pas sulmit në një pallat banimi
Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Pensilvani, ku dy gra dhe një qen shërbimi janë vrarë pas një sulmi brutal me hanxhar brenda një ndërtese apartamentesh. Një grua e tretë ka mbetur e plagosur rëndë dhe ndodhet në gjendje kritike në spital.
Sipas Policisë së Scrantonit, sulmi ndodhi në katin e gjashtë të ndërtesës Hotel Jermyn Apartments, pasi autoritetet morën disa telefonata emergjente që raportonin britma dhe gjak të dukshëm në ambientet e përbashkëta. Një prej telefonatave u bë nga vetë një prej viktimave.
Autori i dyshuar, 38-vjeçari Michael Woods, u arrestua teksa përpiqej të largohej nga vendngjarja. Ai u gjet me rroba të përgjakura dhe duke mbajtur në dorë një hanxhar. Sipas prokurorisë, kamerat e sigurisë kanë filmuar momentet para dhe gjatë sulmit, pamje që autoritetet i kanë cilësuar si tejet të rënda.
Viktimat që humbën jetën janë dy gra, përkatësisht 61 dhe 59 vjeçe, ndërsa gruaja e plagosur është 66 vjeçe. Të gjitha, si dhe autori, banonin në të njëjtën ndërtesë. Gjatë sulmit u vra edhe një qen shërbimi, çka ka shtuar reagimet e forta publike.
Autoritetet bëjnë me dije se i dyshuari ka deklaruar se kishte konsumuar një substancë narkotike haluçinogjene para ngjarjes, por kjo deklaratë është ende nën verifikim. Marrëdhënia mes autorit dhe viktimave nuk është bërë ende publike.
Michael Woods përballet me akuza të rënda, përfshirë dy vepra penale për vrasje, tentativa vrasjeje, plagosje të rëndë dhe mizori ndaj kafshëve. Ai mbahet pa të drejtë lirimi me kusht në burgun e qarkut Lackawanna dhe pritet të dalë në seancë paraprake më 23 dhjetor.
