
Një protestues hodhi një pajisje shpërthyese drejt deputetes së Partisë Kombëtare në kryeqytetin e Hondurasit, duke shkaktuar panik dhe disa të plagosur
Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në kryeqytetin e Hondurasit, Tegucigalpa, ku gjatë një konference për shtyp të transmetuar drejtpërdrejt, një deputete u godit nga një pajisje shpërthyese e hedhur nga një protestues. Bëhet fjalë për deputeten e Partisë Kombëtare, Gladys Aurora López, e cila po fliste para mediave kur sulmi ndodhi papritur.
Pamjet e publikuara tregojnë momentin kur objekti godet pjesën e pasme të qafës së saj dhe shpërthen vetëm disa centimetra larg fytyrës, duke shkaktuar kaos dhe panik mes të pranishmëve. Si pasojë e shpërthimit, deputetja pësoi disa dëmtime serioze, përfshirë djegie, probleme me dëgjimin dhe dyshime për fraktura, duke u transportuar menjëherë për ndihmë mjekësore urgjente. Gjendja e saj raportohet e stabilizuar.
Nga shpërthimi u plagosën lehtë edhe disa persona të tjerë që ndodheshin pranë saj në momentin e sulmit. Ngjarja ka ndodhur në një klimë të tensionuar politike, në sfondin e debateve dhe akuzave që lidhen me proceset zgjedhore dhe rinumërimin e votave.
Pas incidentit, reagimet kanë qenë të menjëhershme nga i gjithë spektri politik. Drejtues të institucioneve dhe përfaqësues të partive kanë dënuar ashpër aktin e dhunës, duke paralajmëruar për rrezikun e përshkallëzimit të situatës politike në vend. Është urdhëruar nisja e një hetimi për identifikimin dhe arrestimin e autorit të sulmit, ndërsa autoritetet janë angazhuar për rritjen e masave të sigurisë rreth institucioneve shtetërore.
Ngjarja ka rikthyer vëmendjen mbi tensionet e forta politike në Honduras dhe frikën se dhuna mund të përdoret si mjet presioni në një nga periudhat më delikate për vendin.
