
Një burrë iu afrua kongresmenes demokrate dhe i spërkati një substancë të panjohur, ndërsa ajo po fliste në një town hall, ngjarja shkaktoi panik mes të pranishmëve
Një incident i rëndë sigurie ka ndodhur gjatë një takimi publik në Minneapolis, ku kongresmenia amerikane Ilhan Omar është sulmuar nga një burrë që përdori një shiringë për të spërkatur një substancë të panjohur drejt saj.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë momentin kur autori vrapon drejt Omarit ndërsa ajo mbante fjalimin, duke reaguar menjëherë shërbimet e sigurisë dhe pjesëmarrësit, të cilët e neutralizuan dhe e shtrinë në tokë. Në sallë u dëgjuan thirrje paniku, ndërsa disa të pranishëm raportuan se substanca kishte një erë të fortë.
Kongresmeia nuk u lëndua dhe refuzoi të largohej menjëherë nga salla, duke insistuar që takimi të vazhdonte. Ajo u shpreh se nuk do të lejonte që akte të tilla ta frikësonin apo ta ndalonin nga puna e saj politike, duke marrë duartrokitje nga publiku.
Policia konfirmoi se autori, një 55-vjeçar, u arrestua në vendngjarje dhe ndaj tij janë ngritur akuza për sulm të shkallës së tretë. Ende nuk dihet natyra e saktë e substancës së përdorur, ndërsa hetimet dhe analizat forenzike janë në vijim.
Ngjarja ndodh në një klimë të tensionuar politike në SHBA, ku Omar ka qenë shpesh objekt kritikash dhe sulmesh verbale nga figura të larta politike, përfshirë presidentin amerikan Donald Tramp. Vetë kongresmenia reagoi më vonë në rrjetet sociale, duke deklaruar se është mirë dhe se nuk do të tërhiqet përballë kërcënimeve apo bullizmit politik.
Autoritetet amerikane po shqyrtojnë masat shtesë të sigurisë për eventet publike, ndërsa rasti ka rikthyer debatin mbi rrezikun ndaj përfaqësuesve të zgjedhur dhe përshkallëzimin e dhunës politike në vend.
