
Prokuroria zbulon se gruaja akuzohet se bleu thikën në dyqan dhe veproi e shtyrë nga halucinacione, ndërsa viktima ishte një turiste që po ndërronte foshnjën e saj
Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur më 11 dhjetor në dyqanin kryesor Macy’s në Herald Square të Nju Jorkut, ku një grua akuzohet se goditi me thikë një turiste brenda banjës së objektit. Autoritetet amerikane bëjnë me dije se e dyshuara, një grua 43-vjeçare nga Massachusetts, ishte liruar nga një repart psikiatrik në Manhattan vetëm disa orë përpara sulmit.
Sipas prokurorisë së Manhatanit, e dyshuara kishte kaluar rreth një vit e shtruar në spital për probleme të rënda të shëndetit mendor dhe ishte liruar në mëngjesin e së njëjtës ditë kur ndodhi ngjarja. Pas lirimit, ajo dyshohet se ka hyrë në dyqanin Macy’s, ku bleu një thikë dhe më pas u drejtua drejt katit të shtatë, në zonën e tualeteve.
Prokurorët deklaruan në seancën gjyqësore se gruaja kishte pranuar se kishte dëgjuar zëra në kokën e saj, të cilët e urdhëronin të vriste dikë, duke i thënë se përndryshe do të vritej vetë. Në këtë gjendje, ajo dyshohet se ka sulmuar një grua 39-vjeçare nga Kalifornia, e cila ndodhej në banjë duke ndërruar fëmijën e saj të mitur. Gjatë sulmit, foshnja ra nga tavolina e ndërrimit, por fatmirësisht nuk pësoi lëndime.
Policia e Nju Jorkut njoftoi se u thirr në vendngjarje rreth orës 15:15 me orën lokale, pas raportimeve për një sulm të dhunshëm. Viktima pësoi disa plagë me thikë në shpinë dhe një prerje në krah, duke u transportuar menjëherë në spital. Ajo është liruar tashmë nga spitali dhe, sipas familjarëve, gjendja e saj shëndetësore është përmirësuar.
E dyshuara është vënë nën akuzë për tentativë vrasjeje, dy akuza për sulm, posedim të paligjshëm të armës dhe rrezikim të mirëqenies së një fëmije. Gjykata ka vendosur që ajo të mbahet në paraburgim pa të drejtë lirimi me kusht.
Nga dokumentet gjyqësore rezulton se ajo kishte një histori të gjatë problemesh psikiatrike dhe se në vitin 2018 ishte arrestuar pasi kishte publikuar në rrjetet sociale kërcënime për vrasjen e një senatoreje amerikane. Më vonë, ajo ishte shpallur person i paaftë për të vepruar dhe ishte vendosur nën kujdestarinë ligjore të familjarëve, si edhe nën trajtim të detyruar mjekësor për skizofreni.
Në deklarimet para gjykatës, e dyshuara ka shprehur refuzimin për t’u rikthyer në një institucion psikiatrik, duke pretenduar se trajtimi i mëparshëm nuk e kishte ndihmuar. Seanca e radhës gjyqësore për këtë çështje është caktuar për datën 17 dhjetor.
Ngjarja ka hapur sërish debat në SHBA mbi menaxhimin e rasteve të shëndetit mendor, procedurat e lirimit nga institucionet psikiatrike dhe rrezikun që situata të tilla mund të paraqesin për sigurinë publike.
