
Të paktën 7 persona humbën jetën dhe mbi 10 u plagosën në një atentat vetëvrasës në qendër të kryeqytetit afgan
Të paktën shtatë persona kanë humbur jetën dhe një numër i konsiderueshëm të tjerë janë plagosur pas një shpërthimi të fuqishëm në një restorant kinez në Kabul. Sulmi ndodhi të hënën, më 19 janar, në zonën Shahr-e-Naw, një nga lagjet më të frekuentuara të kryeqytetit afgan.
Përgjegjësinë për atentatin e ka marrë Islamic State, e cila sipas burimeve të inteligjencës e cilësoi sulmin si një akt vetëvrasës të drejtuar kundër shtetasve kinezë. Sipas policisë së Kabulit, shpërthimi ka ndodhur në restorantin Chinese Noodle, i cili frekuentohej kryesisht nga myslimanë kinezë.
Zëdhënësi i policisë, Khalid Zadran, bëri me dije se mes viktimave ndodhej edhe një shtetas kinez mysliman, ndërsa pjesa tjetër ishin qytetarë afganë. Ai sqaroi se shpërthimi ka ndodhur pranë kuzhinës së restorantit dhe se rasti po hetohet për të zbardhur të gjitha rrethanat.
Në një deklaratë të publikuar nga ISIS, grupi ekstremist tha se ka vendosur shtetasit kinezë në listën e objektivave, duke e lidhur sulmin me atë që e quan shtypje të myslimanëve ujgurë nga qeveria kineze.
Nga ana tjetër, organizata humanitare italiane EMERGENCY njoftoi se spitali i saj pranë vendngjarjes ka pranuar shtatë persona të pajetë dhe 13 të plagosur, mes të cilëve katër gra dhe një fëmijë. Gjendja e disa prej të plagosurve raportohet e rëndë.
Dëshmitarët okularë kanë përshkruar skena paniku dhe frike, duke thënë se shpërthimi ishte shumë i fortë dhe tronditi gjithë zonën përreth. Dritaret e ndërtesave përballë restorantit u thyen nga vala e shpërthimit, ndërsa rruga u rihap për qarkullim vetëm disa orë më vonë.
Ky sulm shton shqetësimet për sigurinë në Afganistan dhe rrezikun e vazhdueshëm nga grupet ekstremiste, veçanërisht në zonat urbane të Kabulit.
