
Arnold Rrokaj dhe Zambak Gjoni në arrest, ish-kreu i Burgjeve Agim Ismaili i pandehur në gjendje të lirë për akses dhe shpërndarje të paligjshme të materialeve hetimore
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim çështjen penale që lidhet me hakerimin e sistemeve kompjuterike të institucionit, duke vënë në bankën e të akuzuarve Arnold Rrokaj, Zambak Gjoni dhe ish-drejtorin e Burgjeve, Agim Ismaili.
Sipas njoftimit zyrtar, Arnold Rrokaj po hetohet me masën e sigurisë arrest në burg dhe akuzohet për hyrje të paautorizuar në sistemet kompjuterike të SPAK, përgjim të paligjshëm të të dhënave, si dhe për kryerjen e këtyre veprave në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal. Hetimet kanë zbuluar se ai ka aksesuar materiale hetimore të ndjeshme, të cilat më pas i ka shpërndarë në mënyrë të paligjshme.
Zambak Gjoni, gjithashtu nën masën arrest në burg, akuzohet për përgjim të paligjshëm të të dhënave kompjuterike dhe përfshirje në grup të strukturuar kriminal. Sipas SPAK, ai ka marrë dhe ka shpërndarë materiale hetimore të siguruara në mënyrë të paligjshme.
Ndërkohë, Agim Ismaili, ish-kreu i Burgjeve, po hetohet në gjendje të lirë. Ai akuzohet se pasi është njohur me përmbajtjen e të dhënave të përgjuara, i ka shpërndarë ato më tej dhe ka kërkuar në mënyrë të vetëdijshme thellimin e përgjimit të paligjshëm, duke synuar sigurimin e informacioneve për persona të ndryshëm.
SPAK bën me dije se Rrokaj dhe Gjoni janë identifikuar dhe arrestuar brenda 24 orëve nga zbulimi i ngjarjes, çka ka ndihmuar në parandalimin e shpërndarjes së mëtejshme të materialeve hetimore. Gjatë hetimeve, pas analizimit të provave, akuzat janë zgjeruar edhe ndaj Agim Ismailit.
Materialet procedurale janë depozituar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, e cila pritet të shqyrtojë çështjen dhe të vendosë për fatin e të pandehurve në një nga rastet më të rënda të ndërhyrjes kibernetike ndaj institucioneve të drejtësisë në vend.
