
Operacioni sekret u përgatit për muaj të tërë, me mbikëqyrje të detajuar dhe stërvitje në replika të bazës së tij në Caracas
Operacioni ushtarak amerikan që çoi në kapjen e ish-presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro, nuk ishte një vendim i menjëhershëm, por një mision i përgatitur me kujdes për muaj të tërë nga inteligjenca dhe ushtria e Shteteve të Bashkuara. Sipas burimeve amerikane, urdhri politik ishte dhënë katër ditë më herët, por ekzekutimi u shty derisa kushtet e motit dhe errësira të krijonin avantazhin e duhur operacional.
Agjentë amerikanë kishin ndjekur çdo lëvizje të Maduros për një periudhë të gjatë kohe, duke monitoruar rutinën e tij të përditshme, vendndodhjet dhe sigurinë personale. Madje, sipas raportimeve, ishte ndërtuar edhe një kopje në përmasa reale e një prej strehimeve të tij në Caracas, ku trupat speciale ushtruan hyrjet dhe skenarët e ndërhyrjes.
Operacioni, i njohur brenda strukturave ushtarake si Absolute Resolve, u finalizua në fillim të dhjetorit dhe u mbajt në sekret të plotë. As Kongresi amerikan nuk u informua paraprakisht për planin, ndërsa vetëm një rreth shumë i ngushtë drejtuesish kishte dijeni për detajet.
Drita jeshile për nisjen e sulmit u dha nga Donald Tramp pak para mesnatës sipas orës lokale në Caracas. Zgjedhja e këtij momenti i dha ushtrisë amerikane mundësinë të vepronte nën mbulesën e errësirës dhe me më pak rrezik për zbulim ajror, pasi ditët e mëparshme ishin shmangur për shkak të reve dhe kushteve jo të favorshme atmosferike.
Shefi i Shtabit të Përbashkët të Ushtrisë amerikane, Dan Caine, ka deklaruar se trupat kishin qenë në gatishmëri të plotë gjatë gjithë periudhës së festave të fundvitit, duke pritur vetëm sinjalin final dhe kushtet e duhura për të vepruar.
Kapja e Maduros shënon një nga ndërhyrjet më të bujshme amerikane në Amerikën Latine në vitet e fundit dhe ka tronditur jo vetëm Venezuelën, por edhe arenën ndërkombëtare, duke ngritur pikëpyetje të forta mbi pasojat politike dhe sigurinë rajonale në ditët që vijnë.
