
Fenomeni spektakolar që u pa mbrëmjen e 4-5 dhjetorit nuk do të përsëritet me të njëjtën shkëlqim deri në vitin 2042.
Natën mes 4 dhe 5 dhjetorit qielli u ndez nga një Super Hënë e rrallë, më e madhe dhe më e shndritshme se zakonisht, spektakël që fotografë dhe vëzhgues të qiellit në mbarë botën nuk e lanë pa dokumentuar. Nga SHBA në Kinë, nga India në Francë, pamjet e hënës gjigante që ngrihej mbi horizonte urbane dhe male të mbuluara me dëborë bënë xhiron e rrjetit.
Këtë herë, sateliti ynë natyror ishte rreth 356 mijë kilometra larg Tokës, shumë më afër se distanca mesatare prej 384 mijë kilometrash. Ky afrimi në pikën e perigjeut, i kombinuar me përfundimin e ciklit 18-vjeçar hënor, krijoi kushtet që e bënë Hënën të duket rreth 8% më e madhe dhe 15% më e ndritshme se zakonisht.
Pamjet më të spikatura mbërritën nga Nju Jorku, ku Super Hëna u ngrit pas ndërtesave ikonike One Vanderbilt dhe Empire State Building; nga Los Anxhelesi, ku u fotografua mbi horizontin e artë; nga Londra, e rrethuar mes dekorimeve festive; por edhe nga Turqia e zona të tjera ku qielli ishte kristal i pastër.
Fenomen i tillë me të njëjtin intensitet nuk pritet të rikthehet para vitit 2042. Deri atëherë do të ketë Super Hëna të tjera, por pa këtë shkëlqim të jashtëzakonshëm. Hëna e madhe që pamë së fundmi ishte një takim i rrallë me kozmosin, një kujtim për madhështinë e qiellit mbi ne.
Astronomët njoftojnë se një tjetër Super Hënë do të shfaqet që në janar, por jo me të njëjtën pamje mbresëlënëse. Për të apasionuarit e yjeve, kalendari duhet mbajtur gati.
