

Katërmbëdhjetë persona humbën jetën dhe 124 të tjerë rezultojnë të zhdukur në lindje të Tajvanit, pasi një liqen barriere doli nga shtrati për shkak të reshjeve të dendura të shkaktuara nga super tajfuni Ragasa, ndërkohë që stuhia goditi Hong Kongun me erëra dhe dallgë të fuqishme.
Sipas autoriteteve lokale, shumica e viktimave ishin të moshuar që nuk arritën të shpëtonin nga përmbytjet në Guangfu, në qarkun Hualien. Të paktën 34 persona janë plagosur, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë.
Agjencia Qendrore e Lajmeve e Tajvanit (CNA) raportoi se liqeni, i formuar nga rrëshqitje dheu në reshjet e mëparshme, u mbush në mëngjesin e së martës dhe në pasdite ndodhi një vërshim i madh uji që përmbyti zonën, duke marrë përpara makina e duke shembur një urë. Pamjet treguan banorë që shpëtuan duke u ngjitur mbi çatitë e shtëpive, ndërsa rrugët u mbuluan nga baltë dhe mbeturina.
Presidenti tajvanez William Lai Ching-te deklaroi se të gjitha ministritë dhe ushtria janë mobilizuar për reagimin emergjent, duke u bërë thirrje ekipeve të shpëtimit të mbrojnë sigurinë e tyre gjatë operacioneve. Të mërkurën në mëngjes, mbi 160 fluturime në aeroportin ndërkombëtar të Taoyuan u anuluan, ndërsa trenat dhe tragetet u pezulluan në disa zona.
Në Hong Kong, shërbimi meteorologjik lëshoi alarmin më të lartë të tajfunit “T10”, ndërsa stuhia kaloi 150 km në jugperëndim të territorit. Dallgët u përplasën mbi shëtitoret bregdetare, duke shkaktuar përmbytje dhe pezulluar jetën në qytet. Erërat e forta arritën shpejtësi mesatare 112-153 km/h, me rafale mbi 184 km/h. Më shumë se 700 fluturime u anuluan, ndërkohë që autoritetet paralajmëruan për shirat e dendur dhe rrezikun e rrëshqitjeve të dheut.
Në provincën jugore kineze Guangdong, autoritetet zhvendosën mbi 1 milion banorë në pritje të stuhisë.