
Aktorja e Euphoria konfirmon se nuk ka kryer ndërhyrje estetike dhe flet hapur për marrëdhënien me trupin e saj
Aktorja amerikane Sydney Sweeney ka tërhequr vëmendjen e mediave dhe publikut në premierën e filmit të saj të ri “The Housemaid”në Los Angeles, ku u shfaq me një fustan të bardhë elegant, duke rikujtuar stilin ikonik të Marilyn Monroe. Përtej paraqitjes glamuroze, ajo u bë pjesë e një momenti të pazakontë, duke iu nënshtruar një testi gënjeshtre për të sqaruar thashethemet e vjetra rreth ndërhyrjeve estetike.
Gjatë një interviste për Vanity Fair, Sweeney u pyet nga kolegia e saj Amanda Seyfried nëse kishte kryer ndonjë operacion plastik. Aktorja u përgjigj prerazi se jo dhe testi i gënjeshtrës konfirmoi se deklarata e saj ishte e vërtetë. Ajo theksoi se nuk ka bërë asnjë ndërhyrje estetike në trupin e saj dhe se është e vendosur të plaket natyrshëm.
Sydney Sweeney ka folur më herët edhe për pasiguritë që kishte gjatë adoleshencës, duke treguar se kishte menduar për një reduktim të gjoksit kur ishte në shkollë të mesme. Sipas saj, këshilla e nënës për të mos marrë një vendim të nxituar rezultoi vendimtare. Sot, ajo shprehet se ndihet mirë me veten dhe e pranon trupin e saj ashtu siç është.
Aktorja 28-vjeçare ka deklaruar se nuk ka përdorur kurrë Botox apo procedura të tjera estetike dhe se ka frikë nga gjilpërat. Sipas saj, vetëbesimi dhe pranimi i vetes janë çelësi për t’u ndier mirë dhe për ta reflektuar këtë edhe te të tjerët.
Filmi i saj i ri The Housemaid, i bazuar në romanin psikologjik të Freida McFadden, pritet të dalë në kinematë britanike gjatë festave të fundvitit, duke shënuar një tjetër hap të rëndësishëm në karrierën e aktores që po kthehet gjithnjë e më shumë në një ikonë të Hollivudit.
