

Gjykata e Lartë e Tajlandës vendosi të martën që ish-kryeministri Thaksin Shinawatra duhet të vuajë një vit burg, pasi nuk e kishte kryer siç duhet dënimin e tij për korrupsion dhe shpërdorim detyre.
Thaksin, i dënuar fillimisht me tetë vite burg, kaloi vetëm gjashtë muaj në paraburgim, kryesisht në spital, pasi autoritetet e justifikuan vendimin me gjendjen e tij shëndetësore. Në vitin 2023, ai ishte rikthyer në Tajlandë pas një periudhe të gjatë në mërgim.
Megjithatë, në vitin 2024, ai përfitoi një falje mbretërore që ia uli dënimin në një vit, dhe u lirua në shkurt 2024, për shkak të moshës.
Gjykata e Lartë tani argumenton se qëndrimi i tij në spital nuk mund të konsiderohet si vuajtje e dënimit. “Dërgimi i tij në spital nuk ishte i ligjshëm. I pandehuri e dinte që sëmundja e tij nuk përbënte rrezik të menjëhershëm. Prandaj, qëndrimi në spital nuk mund të llogaritet si burgim,” theksohet në vendim.
Ky zhvillim i ri pritet të shkaktojë reagime politike dhe të testojë stabilitetin e qeverisë tajlandeze, pasi Thaksin mbetet një figurë me ndikim të madh në politikën e vendit, pavarësisht dënimeve dhe moshës së tij.